Njerez

Teatri politik me dashnorë mediesh – Kur kritikonte Gilman Bakalli

Teatri i politikës shqiptare është mbushur me dashnorë mediash, me dashnorë të fjalës së lirë, me flirtues, me tundues e përdhunues të fjalës së lirë, të cilët fjalën e lirë e konsiderojnë si e drejta për të shpërndarë në hapësirë budallallëqe dhe ligësi. Pa u ndëshkuar, sigurisht! Skena e këtij teatri pret prej kohësh të dashuruarit e fjalës së lirë. Të dashuruarit me fjalën e lirë! Ato që, fjalën e lirë e ndjekin nga pas, pa mundur ta kapin asnjëherë e që bash për këtë arsye s’reshtin së ndjekuri... Kështu shkruante në një prej mendimeve të tij kritike Gilman Bakalli, i ndarë nga jeta dy vjet më parë. Optika e tij kritike, por gjithnjë me nota realiste, vjen edhe njëherë e gjallë përmes librit “Mendimi kritik i një qytetar” nga Botimet Pegi .

Një përmbledhje  me momente të ndryshme të politikës,etikës, moralit, fesë, mediave etj. të shoqërisë shqiptare gjatë këtij “tranzicioni të përhershëm”. Në trajtimin e çështjeve, autori ka zgjedhur si model të tijin të preferuar mendimin kritik. Me anë të mendimit kritik autori analizon dhe vlerëson informacionet, duke na dhënë përdoren për të mbështetur çështjen ai e nënndan çdo argument në përbërësit e tij themelorë, pra në propozime të thjeshta dhe vlerëson pasojate çdo propozimi. Gjatë leximit shohim se si autori mundohet të zvogëlojë paragjykimet në mënyra të ndryshme, ai shpesh shtron pyetje të cilat fillojnë me përemrin pyetës “çfarë” si: “Çfarë do të thotë kjo?” në vend që të mbetet i gozhduar në pyetjen “Si është e mundur që kjo gjë është në kundërshtim me atë që kam besuar gjithmonë?”. Paragjykimet, stereotipet dhe iluzionet konjitive vazhdojnë të veprojnë në mendjen njerëzore me prepotencë e futen deri në shpirt, por një mendimtar kritik duhet të jetë në gjendje të dallojë situatat në të cilat është me vend t’i frenojë. Leximi dhe studimi i përmbledhjes së publicistikës së prof. Bakallit ështësigurisht një ushtrim i vlefshëm për të zhvilluar mendimin kritik.

Bakalli, i cili u nda nga jeta në moshën 49 –vjeçare ishte opinionist, përkthyes dhe eseist, Prof. Asoc. Dr. në Shkencat Filologjike,“Alfabeti i tranzicionit” ka qenë libri i parë që u publikua nën përkujdesjen e Universitetit  Europian të Tiranës, ku  ai punoi për  tetë vite si pedagog,  të cilin autori arriti ta përfundonte pak kohë përpara ndërprerjes së punës në mënyrë të papritur."Një libër tradicional është si një organizëm i gjallë, i cili merr frymë, mbart mbi vete shenjat dhe aspiratat e kohës së tij.”, shkruante dikur Bakalli, “Kur prekim një libër të shtypur në letër, na duket sikur prekim personazhet e ndryshme,dhimbjet, vuajtjet, gëzimet, sakrificat e tyre.” Edhe ky libër i shtypur nga Botimet Pegi, “mysafir i shtrenjtë dhe i përhershëm” në bibliotekat personale, vjen si një homazh, për ta sjellë edhe njëherë Gilman Bakallin, jo vetëm si mysafir, por aktor të dekriptimit të problematikave që ka shoqëria shqiptare dhe shkrimet e tij mbeten ende të mprehta dhe aktuale në shoqërinë e tranzicionit të pafund. “Në një shoqëri të përparuar njerëzore, ka vetëm një lloj guximi, ai që quhet guxim qytetar.”, thoshte Bakalli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë