Gazeta Si – KLSH ka kallëzuar në SPAK 8 punonjës të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, institucioneve në varësi të saj dhe dy punonjës të ATRAKO-s për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike.
KLSH ka konstatuar shkelje me procedurën për “Koncesionin/ partneritetin publik privat, për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre Bashkisë Sarandë dhe Lushnjë, si dhe procedurën e prokurimit për “Blerje monitor pacienti për masat anti-covid.
Nga auditimi i procedurës së koncesionit në fjalë, KLSH ka hasur shkelje të shtatë punonjësve, anëtarë të Komisionit të Dhënies së Koncesionit/PPP, veprime këto që bien në kundërshtim me detyrimet ligjore që i atribuohet këtij komisioni, si dhe me dispozitat ligjore që normojnë procedurën e koncesionit.
Gjithashtu, nga auditimi i procedurës së prokurimit për “Blerje monitor pacienti për masat anti-covid” janë konstatuar një sërë shkeljesh të kryera nga tre punonjës, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në kundërshtim me dispozitat ligjore për prokurimin publik, si dhe me përmbushjen e rregullt të detyrës së anëtarit të KVO-së.
Një padi të ngjashme në SPAK, KLSH ka bërë edhe për ish-drejtorin e Përgjithshëm të Autoritetit Portual Durrës dhe 6 punonjës të tij.
“Konkretisht, nga auditimi i kryer lidhur me procedurën e prokurimit ‘Shërbim konsulencë’, me objekt ‘Libri i tarifave’, janë konstatuar një sërë shkeljesh dhe parregullsish të ndërmarra me veprime aktive nga ish Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Përgjegjësi i Prokurimeve, dy Përgjegjës Sektori, një jurist dhe dy specialist”, njofton KLSH.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




