Drejtësia

Vrasja e Florian Lamçes nga shokët, prokuroria kërkon 52 vite burg për autorët

Gazeta Si - Pas një viti e gjysmë hetime, Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar 52 vite e 6 muaj burg për katër të pandehurit që akuzohen për vrasjen e Florian Lamçes, ngjarje e ndodhur në 20 korrik 2020.

Për Sokol Sanxhaktarin, i akuzuar për vrasje me dashje në bashkëpunim, u kërkua 20 vjet burg dhe periudha e sigurisë që të vuajë dënimin e plotë dhe të mos përfitojë lirim me kusht.

Për Adriano Hajdarin, i akuzuar për vrasje me dashje në bashkëpunim, u kërkua 20 vjet burgim dhe periudha e sigurisë që të vuajë dënimin e plotë dhe të mos përfitojë lirim me kusht.

Për Amadeus Lamçen, i  akuzuar për moskallëzim krimi, veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, deklarim i rremë në polici, u kërkua 6 vjet e 6 muaj burg.

Për Mehmet Muçën, i akuzuar për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës u kërkua 6 vjet burg.

Sanxhaktari, sipas prokurorit të çështjes është njeriu kryesor që ka vrarë me sende të forta mikun e tij, Florian Lamçja alias Shabani. Tre shokët ndodheshin në ambientet e lokal “Piazza del sol”, në qendër të Elbasanit.

Viktima, Florian Lamçja, ose siç njihej ndryshe në Elbasan me nofkën “Flor Qorri”, Adriano Hajdari dhe Sokol Sanxhaktari, në shoqërinë e njëri-tjetrit kanë konsumuar pije alkoolike.

Në bisedë e sipër, rreth orës 04:00 të mëngjesit ata janë zënë me njëri-tjetrin duke bërë që të përdorin shishet e birës dhe për pasojë kanë lënë të vdekur Florian Lamçjan.

Pas dyshimeve të para dhe mohimeve, Sokol Sanxhaktari dhe Ardiano Hajdari, janë vënë në përgjim ambiental, teksa ndodheshin të shoqëruar në polici.

Në bashkëbisedim me njëri-tjetrin, Sanxhaktari e mëson Hajdarin se çfarë duhet të thonë kur ta pyesin, duke orientuar hetimet se miku i tyre Florian Lamçja, të cilin ata e kishin vrarë me karrige dhe shishe, kishte bërë vetëvrasje, duke i rënë me grushte xhamit dhe më pas ishte rrëzuar në dysheme me kokë.

Ky përgjim ambiental, tregon alibinë e dështuar të dhëndrrit të ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini, që ka kërkuar që ngrejë për hetuesit.

Në një moment gjatë bisedës, Sanxhaktari i thotë mikut të tij Hajdarit të mos shqetësohej se “do i bëjmë nja dy muaj burg”, duke u përpjekur të fshihnin krimin.

Një fakt i tillë, është konsideruar si provë e fortë nga prokurorët për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Dy të arrestuarit dhe vetë viktima Florian Lamçja konsideroheshin si persona me precedentë penalë në Elbasan.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë