Gazeta Si – Mëngjesin e së shtunës, dy shqiptarë hynë në shtëpinë e Gianni Rivera-s në Romë, ish-futbollisti i njohur i Milanit dhe kombëtares, si dhe politikan në Itali.
Keqbërësit, të armatosur me një pishtar, kishin si synim të hapnin kasafortën e blinduar, ku ish-futbollisti ruan trofe dhe kujtime nga karriera e tij.
Megjithatë, një zjarr aksidental i shkaktuar gjatë hapjes së kasafortës, i bëri ata të arratiseshin para kohe, duke marrë ç’të mundnin. Agjentët e komisariatit të Trevit i gjetën shpejt në afërsi të zonës ku kishin plaçkitur.
Dy shqiptarët, njëri 34 dhe tjetri 32 vjeç, u arrestuan dhe akuzohen për vjedhje, thyerje të pronës dhe zjavvënie. Rreth orës 3 të mëngjesit, një patrullë dalloi dy persona që qëndronin përpara një makine “Fiat Panda”.
Agjentët u afruan për t’i pyetur se çfarë po bënin kur njëri nga dy shqiptarët nxori fanellën e Ibrahimovicit nga xhaketa (e kishin vjedhur në shtëpinë e Riverës), duke thënë se e kishte gjetur.
Më pas policët kontrolluan makinën, ku gjetën shumë sende të vjedhura: 6.345 euro në para, një trofe të medaljes së artë, një targë të Milan Club Gianni Rivera, fanellën origjinale me numër 11 të Zllatan Ibrahimoviç dhe një trofe nga Liga Kombëtare e Amatorëve.
Gjatë kontrollit ndaj dy “skifterëve”, policia u njoftua për zjarrin nga salla operative. Sipas asaj që ka thënë një dëshmitar, të cilit I referohen mediat italiane, me dy shqiptarët ka qenë edhe një person tjetër, ky dyshohet të ketë qenë një femër.
Dy hajdutët e e kanë mohuar vjedhjen dhe thonë se kanë marrë një çantë me kujtime nga një mik, por ata nuk e kishin idenë se çfarë përmbante. Por për ta, prokurori kërkoi masën e paraburgimit.
Pas konfirmimit të arrestit në flagrancë, gjyqtari i ka dërguar në shtëpi me detyrimin e ndalimit për të dalë nga Roma dhe daljen nga ora 20 deri në 8 të mëngjesit. Ata do të kthehen në sallën e gjyqit në shkurt.
Ish-kampioni i Milanit, Rivera ka qenë në Romë këshilltar për politikat sportive për Campidoglion në 2001 dhe më herët, deputet për Demokracinë Kristiane dhe për qendrën e majtë, gjithashtu në Parlamentin Evropian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.







