Ka ndodhur

Rrugët e ngrira, Policia jep këshillat për shoferët

Nisur nga situata e krijuar si pasojë e motit të keq, gjatë ditës së djeshme dhe gjatë natës me reshje dëbore në disa zona, si dhe nga temperaturat shumë të ulëta duke shkaktuar ngrica e akull, kryesisht në akset rrugore rurale malore, Policia e Shtetit thotë se ka marrë një sërë masash për t'u ardhur në ndihmë gjithë përdoruesve të rrugës në rast nevoje. Ndërkohë policia ka dhënë një sërë këshillash për një qarkullim sa më të sigurtë.
Në zonat më me rrezik, do të ketë patrullime të shtuara nga Policia Rrugore për të orientuar drejtuesit e mjeteve. Njëkohësisht uniformat blu po punojnë me entet pronare të rrugëve dhe firmat kontraktuese, për mbajtjen pastër të rrugëve dhe për të pasur në gatishmëri mjetet borëpastruese në rast të prezencës së akullit apo dëborës në rrugë.
Me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që në radhë të parë të shmangin lëvizjet e panevojshme kryesisht në zona malore ku ka prezencë të dëborës, ngricës e akullit.
Të vendosin gomat dimërore dhe të kenë me vete zinxhirët të gjithë ata drejtues mjetesh, që lëvizin në zonat ku ka prezencë të dëborës, ngricës e akullit.
Të gjithë drejtuesit e mjeteve të mos qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara apo udhëzimeve të shërbimeve të policisë për akse rrugore të veçanta, të tregojnë kujdes dhe të ruajnë distancën gjatë lëvizjes.
Të mos përdorin në asnjë mënyrë celularin, gjatë drejtimit të mjetit dhe të vendosin rripin e sigurimit dhe drejtuesit e motomjeteve të vendosin kaskën mbrojtëse.
Të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra në rrugë dhe të qëndrojnë në radhë në rast se në ndonjë segment rruge për arsye të ndryshme, mund të ketë qarkullim të ngadaltë apo ndalim qarkullim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë