Kryeministri Edi Rama iu drejtua qytetarëve me një mesazh të shkurtër, duke i ftuar ata që të braktisin llogoret politike dhe të plotësojnë formularin e këshillimit kombëtar me 12 pyetjeve, që siç tha do t’u shkojë shqiptarëve derë më derë.
“Ju po njiheni dita-ditës me një nismë të re të qeverisë, Këshillimin Kombëtar për Shqipërinë. Përmes një pyetësori që po mbërrin nëpër shtëpitë tuaja, dua që t’i japim jetë një kuvendimi popullor ku të merret mendimi i gjithsecilit mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë, familjen, drejtësinë, bashkëjetesën tonë demokratike”, deklaroi ai.
Formulari, sipas Ramës, do të shkojë në çdo shtëpi të shqiptarëve përmes postës, tradicionale, ose elektronike dhe përmes pikave të këshillimit që do të ngrihen në çdo bashki.
“Më të moshuarit mund ta plotësojnë pyetësorin dhe të na e ridërgojnë me postë pa asnjë shpenzim. Të tjerët mund ta japin opinionin e tyre përmes faqes së Këshillimit Kombëtar online në platformën tonë të bashkëqeverisjes. Të gjithë do të mund të përdorin edhe pikat e Këshillimit Kombëtar që do të hapen në çdo bashki”, tha ai.
Në këtë nismë, Rama ftoi të gjithë qytetarët, paavarësisht bindjeve të tyre politike,
“Është koha të flasim më shumë si shqiptarë, si qytetarë, si njerëz, se sa si luftëtarë llogoresh, mllefesh, inatesh kundër njëri-tjetrit. Është koha të dëgjohemi për mendimet dhe idetë e secilit për shtëpinë tonë të përbashkët, Shqipërinë, e të këshillohemi së bashku për vendimet me rëndësi për familjen shqiptare. Le të dëgjojmë njëri-tjetrin, me kurriz nga llogoret partiake dhe sytë e imagjinatës nga e ardhmja e ndritur e Shqipërisë!”, mbylli mesazhin e tij Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.