Mbledhja e parë në seancë plenare e Kuvendit për këtë vit do të mbahet më 17 janar dhe ajo njëkohësisht zyrtarizon vizitën e Presidentit turk në Shqipëri, Recep Taip Erdogan.
Këtë të martë është mbledhur Konferenca e Kryetarëve, që ka vendosur mbajtjen e seancës në orën 17:00 të 17 janarit. Seanca do të jetë simbolike dhe para deputetëve do të flasë edhe Presidenti turk, Recep Taip Erdogan.
Veç fjalës në Kuvend, Erdogan pritet që të vizitojë edhe qytetin e Laçit dhe 500 banesat e ndërtuara nga Turqia në kuadër të projektit të rindërtimit të pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Disa banorë kanë marrë tashmë çelësat e banesave të tyre në këto blloqe banimi që para vitit të ri. Në ceremoninë e dorëzimit të këtyre banesave, Kryeministri Edi Rama nuk e harroi mikun e tij Erdogan. Ai pati një falenderim të veçantë për të madje tha “se Erdogan u gjend krah ‘nesh si të kishte lindur këtu, duke vënë në dispozicion gjithë miqësinë e tij’.
Një ceremoni e dytë përuruese e përfundimit të këtyre ndërtesave pritet të mbahet më 17 janar dhe i pranishëm të jetë edhe Presidenti Erdogan. Jozyrtarisht nga Turqia konfirmohet se Presidenti turk do të vizitojë Shqipërinë më 17 janar.
Megjithatë, rindërtimi në Laç është vetëm një pjesëz e vogël e bashkëpunimit shumëpalësh mes Shqipërisë dhe Turqisë, që përfshin shëndetësinë, fushën e mbrojtjes, vaksinat e deri te politika e jashtme.
“Turqia është duke bashkëpunuar me Shqipërinë në industrinë e mbrojtjes. Paqja dhe stabiliteti në Shqipëri do të thotë paqe dhe stabilitet në të gjithë rajonin. Është në interesin tonë që të ndihmojmë Shqipërinë në luftën kundër terrorizmit, trafikut njerëzor dhe luftës kundër trafikut të drogës dhe çështje të tjera të sigurisë”, ka deklaruar më herët zëdhënësi i Erdogan, Ibrahim Kalin.
Në fushën e industrisë së mbrojtjes, Kryeministri Edi Rama ka njoftuar prej disa muajsh tashmë se Shqipëria do të pajiset me dronë për monitorimin e territorit. Ndërkohë, bashkëpunimi shtrihet në infrastrukturë, shëndetësi, tregti, siguri, energjitikë e deri te kultura dhe arsimi.
Vizita përkon me përvjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.