Politike

FOTO-VIDEO/ Berisha mbyll protestën e tij, por zotohet se do të kthehet sërish

Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili po udhëheq një lëvizje për rikthimin në krye të PD, deklaroi këtë të shtunë në mesditë se do t’u rikthehet sërish protestave derisa në partinë që ai ka udhëhequr që nga krijimi i saj, të rikthehet demokracia.

Pas një proteste thuajse 3 orëshe (nisi para orës 12:00), rreth orës 14:35, ai bëri thirrje për shpërndarje të turmës, që e quajti të jashtëzakonshme, megjithëse pranoi se nuk u arrit maksimumi, marrja e selisë së PD.

Teksa e quajti një revolucion fitimtar lëvizjen e tij, Berisha paralajmëroi protesta të tjera, të cilat sipas tij, do t’i njohë e gjithë Shqipëria.

Ish-lideri demokrat i rikujtoi dhe një herë Bashës se 44 mijë demokratë që kanë votuar për ta shkarkuar dhe njëri prej tyre është edhe vetë Berisha.

Më tej, lideri historik i demokratëve tha se Basha po e mban zyrën dhe selinë me forcën e Edi Ramës. “Unë nuk kam ndrojtje, jam anëtar i një revolucioni fitimtar dhe në mënyrë absolute nuk ka të ndalur deri në triumfin e tij. Është i pandalshëm. Kjo është fytyra e vërtetë e narko-shtetit”.

Sipas tij, “kjo përbën një motivim shumë më të madh për të vazhduar këtë revolucion deri në fund. Basha është peng i Ramës. 44 mijë anëtarë kanë votuar për shkarkimin e tij, një prej tyre jam dhe unë. Basha është i shkarkuar, ai e mban me forcën e Edi Ramës zyrën dhe selinë dhe ai do përgjigjet për këtë”.

Më herët, Berisha theksoi se Opozita vigane u përball me mjete të egra të dhunës, ndërsa ishte para selisë së qeverisë shqiptare. “Narko-qeveria dhe narko-opozita janë e njëjta gjë. Garantoj shqiptarët se jemi dhe do të mbetemi të pamposhtur në vlerat tona”, tha Berisha.

Sipas tij, skenari i zhvilluar para godinës ishte përgatitur me kujdes gjatë gjithë këtyre ditëve. “Askush nuk ka asnjë problem me deputetët e PD, përveç se me Bashën”, – tha ai, duke shtuar se: “Kjo lëvizje është pa ndalim, beteja jonë nuk do të ketë të sosur, kjo është vetëm faqja e parë e saj. Sot shqiptarët dhe bota panë fytyrën e vërtetë të Bashës”, vijoi Berisha.

Në fund, Sali Berisha i kërkoi militantëve të tij sakrifica “në rrugën që kemi për të bërë’. Ai tha se protestat nuk do të ndalen dhe se qëllimi është rikthimi i PD në pushtet me votën e lirë.

Mbështetësve të tij, që me zë të lartë kërkonin që nesër të ishte protesta e radhës, Berisha iu tha: “Do të përcaktojmë një kohë në mënyrë që 44 mijë burrat e gratë e lirirë do të mblidhen si sot. Nuk do të jetë ditë e largët”.

Protesta do ketë dhe do t’i njohë gjithë Shqipëria. Pluralizmi politik është arritja më e madhe shqiptare. Ata që duan ta mbajnë peng, po përballen me vrullin e një revolucioni që nuk ka të ndalur.

Teksa dhuna po intensifikohej Lulzim Basha ka kërkuar ndihmën e policisë, e cila i është përgjigjur menjëherë duke marrë në kontroll situatën. Policia ka hedhur gaz lotsjellës dhe ka shpërndarë protestuesit. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë