Ana e errët

Reportazh mbi dy atentate në vende publike, ekspertët: Paraja kriminale po vret, qytetarët janë të pasigurtë

Lokali në rrugën “Don Bosko” buçet nga zhurma e tik-tokeve të punëtorëve, të cilët pasi kanë hequr shenjat e plumbave dhe xhamin e shpuar, po nxitojnë të mbarojnë punë sa më shpejt.

Por kalimtarët, sapo kalojnë në prag të lokalit, nxitojnë hapat. Frika e atentatit të ditës së martë, ku katër persona u plagosën dhe i pesti në tavolinë me ta ndërroi jetë menjëherë, i ka traumatizuar frekuentuesit e këtij bari.

Por ky biznes, që sipas menaxherit të tij, i cili shprehet i shqetësuar për Gazetasi.al, rrezikon të dështojë. “Nuk ulet më askush, ishte lokal që qëndronte plot nga banorët e lagjes. Tani janë të frikësuar nga kjo që ndodhi”, - thotë nëpër dhëmbë i riu, D.Lika.

Duke kujtuar klientelën e përditshme, i riu këmbëngul se kjo ngjarje i ka tronditur të gjithë në zonë. Ai e njihte viktimën Erjon Çela që ulej si klient i përditshëm, ashtu si edhe të tjerët.

Nga të dhënat e kërkuara nga Gazetasi.al, Erjon Çela e hapi biznesin tip tabakino, duke e regjistruar në QKB në  25 maj 2021 me aktivitetin e duhanshitjes.

I regjistruar si biznes me emrin tjetër, Adriatik Çela, ai prej majit e frekuentonte hapur dhe pa probleme dhe pa u ruajtur nga asnjë, zonën ku kishte biznesin ai dhe pak metra më tej e shoqja.

“Ishin çift që nuk ndaheshin, ajo hapi një qendër estetike në brendësi të pallateve dhe nuk ngjanin të kishin probleme”, - kujton Lavdia, një grua nga Dibra, e cila kur e pa vajzën shtatzënë duke qarë mbi trupin e të shoqit, fillimisht kujtoi se ishte plagosur edhe ajo.

“Nuk mund ta harroj, ajo ulërinte mbi të shoqin dhe e kam mbajtur duke i hedhur ujë të ftohtë e ç’ka munda”, - thotë gruaja për Gazetasi.al (emri i të cilës është i ndryshuar).

Banorët që jetojnë në apartamentet ngjitur me lokalin ku ndodhi masakra me armë automatike, që i mori jetën një personi dhe dy të tjerë janë në gjendje kritike për jetën, me dy të tjerë janë në gjendje më të lehtë, falënderojnë Zotin që kanë shpëtuar pa u prekur nga plumbat.  

Por për ekspertin e policisë, Arben Hajdarmataj, një ish-zyrtar policie që ka hetuar ngjarje të rënda gjatë karrierës së tij, çështje të tilla në vende publike që rrezikojnë çdo qytetar, nxjerrin zbuluar policinë sa i takon parandalimit dhe kontrollit të shtetasve që kanë precendentë penalë. Gjatë intervistës për Gazetasi.al, ai thotë.

“Në databazat  e policisë, janë të regjistruar të gjithë personat që janë të dënuar dhe skeduar në BE, por çfarë ndodh? Nuk vijon mbikëqyrja e këtyre personave, sepse përveç zonës së ‘Don Boskos’, në të gjitha ngjarjet që po shohim nëpër Shqipëri, ata kanë një “background” të viktimave dhe të personave të mundshëm që kanë kryer krimin. Ajo në ‘Don Bosko’, ishte ngjarja më e keqe për vendin, kohën kur ndodhi dhe llojin e saj, - vijon ai. - Ndodhi një krim me armë automatike që nuk fokusohet në një person, pasi ka efekte anësore dhe ne pamë një viktimë e katër veta të plagosur. Kjo ngjarje u zhvillua në zonën më të populluar të Tiranës, më të ngarkuarën me njerëz dhe pothuajse në mes të ditës. Ata lëvizin me armë, me targa të vjedhura  ç’ka do thotë se policia nuk ka kontroll mbi territorin”.

Eksperti i policisë, thotë se ndryshe nga Tirana, ku atentatet tronditin herë pas here, jashtë loje është edhe Policia e Vlorës.  Një atentat në ambient publik, si ai në lagjen “Pavarësia”, ku u plagos Djego Hanaj 37 vjeç. Edhe ky atentat u krye në zonë të mbipopulluar, duke rrezikuar jetën e dhjetërave qytetarëve të pranishëm në rrugë.

Vinçesk Piroli, i cili mbeti i plagosur në Shkodër në rrethana akoma të paqarta për policinë

Hajdarmataj këmbëngul se situata kriminale është shqetësuese për sa i përket rendit dhe qetësisë publike. “Në fund të fundit, paraja kriminale prodhon ngjarje të tilla deri në vrasje”, - deklaron ish-zyrtari i policisë dhe për këtë ngre pikëpyetje tek reagimi policor, që ka ngecur vetëm në ngritjen e postblloqeve, sipas tij qesharake.

“Më qesharakja është nëse do marrim rastin e plagosjes në Shkodër, arreston të plagosurin për të cilin ka njëmijë e një arsye për t’u arrestuar, por e prangos me pretekstin se viktima nuk tregoi krimin. Është qesharake të arrestosh viktimën për mos kallëzim krimi”.

Sakaq në Spitalin e Traumës, sipas mjekëve të pyetur nga Gazetasi.al, vijon të trajtohet Edmond Crroj, një 41-vjeçar i skeduar nga policia për ngjarje të mëparshme dhe që dyshohet se mund të ketë qenë epiqendra e atentatit.

Vëllai i viktimës, Blerim Çela është dërguar për trajtim më të specializuar në një spital privat, kurse dy të tjerët, sipas mjekëve kanë dalë nga spitali.

Në një situatë, ku Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit thirri zyrtarët e vartësit dhe iu kërkoi hetime të shpejta, për Hajdarmatajn, prioriteti kryesor është kthimi i besimit tek policia.

“Duhet që të krijojë besim që qytetarët të kenë besim, në mënyrë që të japin informacione, jo për parkingjet e dyfishta, por për informacione cilësore mbi persona me aktivitet kriminal. Ana tjetër, unë mendoj se është që duhet rritur besimi brenda Policisë së Shtetit, sepse vetë funksionimi brenda policisë është i tillë, informacioni merret brenda strukturave dhe pasi përpunohet, dërgohet në strukturat eprore dhe më pas kthehet, - thekson Hajdarmataj. - Ky është parimi i përgjithshëm dhe është shumë e domosdoshme që njerëzit në polici duhet të jenë të besuar dhe ndaj tyre të ketë besim reciprok. Në të kundërt,  informacioni jepet sa për t’u justifikuar. E dyta duhet parandalim, të ndërtohen strategji të qarta, duke iu përshtatur edhe fenomeneve të fundit dhe të dalin nga guaska dhe të jenë transparent“, - deklaron për Gazetasi.al, eksperti i njohur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë