Atentati me armë zjarri mbrëmjen e të mërkurës në Vlorë, ku mbeti i plagosur 36-vjeçari Diego Hanaj, vijon të mbetet mister. Këtë të enjte, policia ka shoqëruar në komisariat tetë persona që kanë qenë dëshmitarë në vendngjarje. Një ditë pas plagosjes, është gjetur një makinë e djegur në fshatin Trevllazër, që dyshohet se iu përket autorëve.
Dinamika e ngjarjes
Pak para se të qëllohej, Hanaj ka qenë duke pirë kafe, ku një automjet i dyshuar “Audi” e ka pritur tek hyrja e pallatit të tij në lagjen “Pavarësia”.
Sapo Hanaj po shkonte për në banesë, nga automjeti janë ulur xhamat, është nxjerrë një armë e llojit pistoletë dhe është qëlluar drejt tij. Shënjestra i ka vënë re atentatorët dhe ka filluar të vrapojë tek një market pak metra më tutje.
Në drejtim të tij dyshohet të jetë qëlluar rreth pesë herë me pistoletë. Një plumb e ka kapur në dorë, një tjetër ka rënë në xhamat e një ndërtese, ndërsa një plumb tek xhami i marketit. Në momentin që 36-vjeçari ka hyrë brenda për t’u fshehur, vrasësit janë larguar.
Kamerat e marketit kanë fiksuar momentin ku Hanaj vrapon në drejtim të tij, por pa fiksuar automjetin, i cili besohet se është larguar drejt rrugës Transballkanike për të pasur mundësi të humbasë gjurmët dhe t’i shpëtojë policisë.
Hanaj është dërguar në spital nga persona që ishin aty pranë, teksa edhe policia është lajmëruar nga banorë të lagjes të terrorizuar për ngjarjen.
Pistat e hetimit
Në dëshminë e tij të parë në polici, Hanaj ka treguar se s'ka mundur t’i njohë autorët. Mësohet se dy janë pista kryesore, ku po heton policia në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, që tronditi sërish Vlorën.
I plagosuri është kunati i vëllezërve Brahimaj (Isuf Brahimaj, u ekzekutua me shpërthim eksplozivi në vitin 2014 në Vlorë). Ai i kishte shpëtuar një tentative të mëparshme për ta ekzekutuar.
Lënda shpërthyese ishte vendosur në automjetin e markës “Mitsubishi”. Bajramaj, mbeti i vdekur në vend, ndërsa një vajzë mbeti e plagosur rëndë dhe mori djegie të shkallës së tretë nga zjarri i shkaktuar në makinë.
Ndërsa pista e dytë, ka të bëjë me babain e Hanajt, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në një vrasje në rrethana familjare disa vite më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.