Lojëra me Dore

Të gjithë të çmendur për Emën, 18-vjeçarja bëri mrekullinë në Us Open

Dhe në ndeshjen e 10-të, Ema ngriti lart trofeun. Ema Radukanu pikturon dy javë hyjnore dhe triumfon në Us Open, ku u nis nga kualifikueset. Në aktin e fundit ajo mundi 6-4 dhe 6-3 Leilah Fernandez me të njëjtën metodë, pa i lënë asnjë set kundërshtares dhe pa lejuar iluzionin e “tie break”. Britanikja kompleton rrugëtimin me 10 fitore dhe nga numri 150 tani e sheh veten në vend të 23-të në renditjen botërore.

Finalja zgjati më pak se dy orë dhe dy tenistet e datëlindjes 2002 treguan se sa pak të rinjtë e ndjejnë presionin. Një finale e papritur për të dyja (numri 150 para turneut Radukanu, numri 73 Fernandez) nuk meriton të ketë mbingarkesë, as mendore dhe as në lojë. Ndeshja që përfshin 8 shtete mes vendeve të lindjes të lojtareve (Ema në Toronto, Leilah në Montreal, një derbi virtual kanadez) dhe prindërve, shndërrohet në një spot për tenisin e lirë.

Ema Radukanu, 18 vjeç

Seti i parë ishte i ekuilibruar deri në rezultatin 4-4, kurse në të dytin Fernandez qëndroi në lojë deri në rezultatin 2-1. Britanikja fitoi 4 gejme radhazi, duke iu afruar në agim një bote të re. “Match point” i tretë ishte ai i duhuri, i buzëqeshjes që e ka kaluar nga asgjë në gjithçka (një Slam vlen dy milionë e gjysmë dollarë). Tashmë Radukanu është numri 23 në botë, Fernandez numri 27. Edhe vetë tenisi është kurioz për këto dy valë të reja.

Gjithë Anglia çmendet për Emën
Pas finales, të gjithë janë çmendur për Emën. Për vajzën 18-vjeçare që ka shpërthyer në një mënyrë të pabesueshme, nga kualifikueset te trofeu. Ajo është fituesja më e re e një turneu Slam që nga koha e Sharapovës, që fitonte në Uimbëlldon në 2004-ën, në moshën 17-vjeçare.

Reagimet ishin të menjëhershme, duke filluar nga Mbretëresha Elisabet. "Të përgëzoj për suksesin tënd, - ka shkruar Mbretëresha. – Është një rezultat i jashtëzakonshëm në këtë moshë kaq të re, është dëshmia e punës tënde të madhe dhe dedikimit tënd".

Reagimi i familjes mbreterore pas fitores e Radukanut

Fitorja e Emës ka mënjanuar në gazetat britanike edhe debutimin e Kristiano Ronaldos me Mançester Junajitd. I gjithë sporti anglez është çmendur. Geri Lineker ka ndërprerë analizën e tij të Premier Ligës për BBC-në, për të shkruar në Tuiter: “Hera e parë në jetë që shkruaj në Tuiter gjatë transmetimit. O Zot, çfarë spektakli, çfarë triumfi, çfarë vajze e re e jashtëzakonshme”. "Çfarë rikthimi, Ema, kampione e Us Open, e pabesueshme. Urime!" – shkruan Markus Rashford, sulmuesi anglez.

Ema, e lindur në Kanada, me nënë kineze dhe baba rumun, është rritur në jug të Londrës, në Bromlei. Prindërit i kanë kërkuar të përfundonte studimet para se të përqendrohej te tenisi, kështu që ajo nuk i është dedikuar sportit me kohë të plotë.

"Ka lindur një yll, - ka shkruar në rrjetet sociale Martina Navratilova, ish-tenistja e njohur. - Ema Radukanu bën historinë… dhe është vetëm fillimi. Tani nuk duhet më të kualifikohet”.

Vetë protagonistja, Ema Radukanu, pas triumfit është shprehur: "Kam përshtypjen sikur kam ëndërruar gjithmonë të fitoj një Slam. Por, pavarësisht bindjes sime, ende nuk mund ta besoj. Nuk e di kur do të kthehem në shtëpi, nuk e kam idenë çfarë do të bëj nesër. Po përpiqem të shijoj momentin, është koha për të lënë mënjanë të gjitha mendimet. Tani nuk më intereson asgjë, dua vetëm jetën".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë