Më të mirat 2021

Franko Dine dhe arti i rrugës që (s)flet

Nga Luljeta Nelallari - Franko Dine është pionieri i artit shqiptar të rrugës. Njihet për pikturat murale të veçanta në kryeqytet dhe ka ndryshuar pamjen e fasadave në Tiranë, por entuziazmin për punët e tij e ka racional.

Ai mendon se pavarësisht se arti i rrugës po arrin të ngrihet dhe të marrë hov, nuk ka shumë të rinj shqiptarë që e lëvrojnë këtë formë arti.

“Arti i rrugës në Shqipëri po merr hov dhe po arrin të ngrihet, por ka një problem që nuk janë shumë të rinj shqiptarë dhe kjo është për të ardhur keq. Shumë piktura murale janë bërë nga të huajt. Kanë ardhur artistë të huaj që kanë bërë art të tillë, kështu që unë e shoh akoma shumë të dobët si zhvillim”, më rrëfen Franko.

Franko me keqardhje më thotë gjatë bisedës që shumë prej punëve të tij janë dëmtuar, janë shkatërruar e fshirë.

“Unë shoh një lloj mosvlerësimi ndaj veprave, sepse ato shkatërrohen, prishen, sepse për hir të së vërtetës pjesa më e madhe e tyre janë të dëmtuara”, shprehet Franko për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “nuk dua të bëj viktimën, por ama ata duhet të ruheshin dhe të jenë një diçka e mirë për qytetin”.

Mosvlerësimin e artit të tij ai e lidh dhe me “zhanret” e popullsisë që hasim në rrugë.

“Unë dal e bëj punë në qytet, por aty ka njerëz intelektualë, ka njerëz me shkollë, pa shkollë, rrugeçër, i kemi të gjitha zhanret”.   

Artisti vlonjat, Franko Dine, e ka nisur lëvrimin e këtij arti prej 10 vitesh, si një mënyrë për të promovuar pasionin e tij. Por punët e tij nuk kanë mbetur vetëm në kuadrin e një pasioni, pasi ai me anë të këtij arti ka dhënë mesazhe për tema të ndryshme që prekin shoqërinë dhe është munduar që qyteti të flasë nëpërmjet mureve.

“Unë përpiqem që me artin tim gjithsecili nga kjo pjesë e shoqërisë të gjejë veten e tij. Unë bëj për shoqërinë, bëj tematika sociale, ato që prekin gjithë pjesën e shoqërisë, i prek si ai që është elita, si ai që nuk është elitë, ndotja na prek të gjithëve, dhuna po ashtu na prek të gjithëve, na dhemb”, vijon ai.

Ai nuk heziton të flasë edhe për institucionet e Kulturës për të cilët thotë se “kur e kam nisur këtë lloj arti, kam vajtur e kam thënë për këtë art, ata nuk e dinin çfarë është arti i rrugës”.

Një ndër punët që artisti veçon është “Toka e helmuar”, për të cilën thotë se është bërë me shumë dashuri, ndaj dhe i dhimbset si punë që i është fshirë.

Toka e Helmuar

“Toka e helmuar do ta veçoja, sepse e kam bërë me shumë dashuri, dhe mua më dhimbset, sepse dikush e vlerëson, u rendit me punët e tjera në botë. Të renditesh me artistët e huaj është një vlerësim”, tregon Franko për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “ka qenë tek ish-Parku i Autobusëve. Është bërë para se të vinte pandemia. Unë e bëra atë se para kësaj kam parë dy dokumentarë, një dokumentar që fliste për Çernobilin për ndotjen që ndodhi nga dora e njeriut. Ndërsa dokumentari i dytë fliste se si njerëzit tremben më shumë tashmë. Njerëzit nuk tremben nga armët, shpërthimet, por nga viruset”.

Ndërkohë, në Tiranë puna e fundit që është fshirë është “Foleja”, e cila ishte vendosur te “Stadiumi Dinamo”.

Foleja

“Tek Foleja, kam pasqyruar zogun me maskë. Flet për ndotjen e ambientit dhe lidhet më shumë me ngrohjen globale dhe ndotjen e ambientit”, vijon ai rrëfimin e tij.

Tek e pyes se pse murale të tilla fshihen më shpjegon se punët e fshira lidhen me një problematikë të caktuar që domosdo dhembin.

“Kur bën një problematikë që ti e di shumë mirë që është e vërtetë, normal që ndodhin reagime. Nëse bëj diçka për dhunën dikush do shkojë ta fshijë se i dhembë dhuna. Janë të destinuara të prishen, të vjen inat dhe thua pse dhe nuk e ndryshon atë gjë dhe shkon dhe e fshin”, thotë ai.

Gjatë kohës së pandemisë ai do të më rrëfejë se e ka lëvruar artin e tij në Vlorë, në qytetin e tij të lindjes, duke bërë murale që lidheshin me situatën.

“Në pandemi u mbyllëm të gjithë brenda, unë asaj kohe qëndrova me familjen time në Vlorë. Atje gjeta sipërfaqen e murit dhe fillova të pikturoja, kam bërë një çift që janë duke u puthur, gruaja dëshiron të puthë burrin dhe burri që i zgjat metrin dhe i tregon që të lutem ruaj distancën”, më tregon Franko.

“Pastaj kam bërë një personazh me veshjen e verdhë për mbrojtjen e kimikateve, dhe duke mbajtur botën në dorë dhe bota është e mbushur e gjitha me gjak dhe duket si horror, dhe sipër ka një pikatore, si një kryq në fakt ai po bekon botën për një shpëtim”, më tregon më tej, ndërsa thekson se në atë kohë që pandemia na kishte mbërthyer nuk mund të rrinte duarkryq.

Franko Dine ka shumë vepra nëpër shumë rrugë të Tiranës, duke filluar nga Blloku, lagjja më “cool’, e kryeqytetit, në rrugën “Myslym Shyri”, e në shumë rrugë të tjera, duke i dhënë qytetit përzierje ngjyrash.

I buzëqeshur, realist e me këmbë në tokë, ai ka ide të qarta se si mund të rritet ndërgjegjësimi i njerëzve për këtë lloj arti.

“Ndërgjegjësimi i njerëzve rritet duke i ushqyer me art, duke u servirur sa më shumë vepra arti, por ka të bëjë dhe emancipimi kulturor”, thotë Franko, ndërsa shton se “nuk janë shumë të lidhur me artin se ty po të serviret një art, dhe po e prish”.

Franko më rrëfen se përpos fshirjes së shumë punëve, pasioni i tij vazhdon. Ai është në punë e sipër për vepra të reja, por i keqardhur shprehet se po mendon edhe selektimin e ndonjë pune për ta bërë jashtë për shkak të mosvlerësimit.

“Po merrem me dy punë për temën e ngrohjes globale, por janë të dyja të ndryshme. Por ndërkohë po bëj selektimin e punëve, që këtë do e bëj këtu dhe këtë do e bëj jashtë, për shkak të mosvlerësimit”.

I pasionuar prej 10 vitesh me artin e rrugës, Franko flet me bindje ky lloj arti do energji. Dhe nëse do të jepte këshilla për të rinjtë që do i futen kësaj rruge, ai thotë se “në art duhet të derdhësh gjak”.

“Po bëj gati 10 vjet që vetëm po merrem me këtë gjë dhe u them studentëve, që kur arrini të dilni në pah, mos kujtoni se do t’ia hidhni njeriu. Ashtu si një vajzë dhe një djalë dashurohen dhe ti e kupton në shikim se ajo vajzë të do sepse i shkëlqejnë sytë, ashtu t’i duhet ta bësh dhe artin që njerëzve që e shohin t’u shkëlqejnë sytë. Ti duhet të japësh gjithë dashurinë tënde, të derdhësh gjak për atë art që edhe ai që nuk është artist të kuptojë që t’i ke dhënë maksimumin në atë punë”, përfundon Franko.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë