Ka ndodhur

Vrasja e Albi Bashaliut në Peqin, dy të arrestuar për përkrahjen e autorëve

Dy persona janë arrestuar gjatë hetimeve që po zhvillohen për vrasjen e 35-vjeçarit Albi Bashaliu, ngjarje e ndodhur dy ditë më parë në fshatin Gjoçaj të Peqinit.

Policia dyshon se këta persona kanë përkrahur autorët të vrasjes. Ata janë V.B., 41 vjeç dhe M.Xh., 30 vjeç, të dy banues të të njëjtit fshat.

Policia thotë se dy të arrestuarit kanë kryer veprime aktive për të fshehur rrethanat e ngjarjes dhe kanë penguar aktivisht organet e policisë për t’u informuar për ngjarjen dhe motivin.

Policia e Peqinit thotë se veprimet e tyre janë të dokumentuara. Një ditë më parë, policia gjeti në aksin rrugor Gosë-Vilbashtovë të Rrogozhinës edhe makinën e viktimës, një “Volkswagen Caddy”, e cila u përdor nga autorët e vrasjes, të cilët pas krimit u larguan nga vendngjarja me makinën e viktimës, ndërsa automjetin e tyre e dogjën në vendngjarje pasi pësoi defekt.

Kjo makinë është edhe "arma" kryesore në duart e grupit hetimor që mund t'i çojë deri në kapjen e autorëve. Mjeti u gjet i braktisur, i padjegur dhe brenda tij nuk kishte armë zjarri, ndërkohë, targat e mjetit të djegur në vendngjarje, që i përket autorëve, rezultojnë të vjedhura në Tiranë.

Pista kryesore e hetimeve, është e hakmarrja, sepse Albi Bashaliu është vëllai i Leonard Bashaliu, i cili ka ekzekutuar 6 muaj më parë Ylber Xhahysën pas sherrit për gërvishtjen e makinës. Për këtë krim, Leonard Bashaliu ndodhet në burg. Po ashtu, viktima Albi Bashaliu ishte arrestuar në vitin 2017, pasi kishte qëlluar me automatik mbi dy persona.

Ndërkohë, në pyetje janë marrë disa persona, banorë të fshatit Gjoçaj të Peqinit, mes tyre dhe familjarët e Ylber Xhahysës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë