Ish-nënkomisari i policisë në Fier, Festim Lelaj, është dënuar me 17 vjet burg nga Gjykata e Posaçme, aq sa kishte kërkuar dhe SPAK, me akuzën për trafik narkotik është 2.5 tonë kanabis.
Duke qenë në krye të drejtorisë së kufirit, ai fikte radarët e kontrollit policor për të lejuar lëvizjen e qetë të trafikantëve të drogës në det.
Lelaj akuzohet për 'Trafikimi i narkotikëve', në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, 'Grup i strukturuar kriminal' "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale.
Lelaj, një efektiv policie nga Vlora, por në atë kohë me detyrë nënkomisar në drejtorinë e Fierit, është arrestuar në dhjetor të vitit 2017 si personi që ka organizuar trafikimin e 2.5 tonë drogë nga Shqipëria në drejtim të Italisë.
Sasia e madhe e drogës është kapur në janar 2017 brenda një kamioni në Ankona, ndërkohë policia vendase mundi të kapë vetëm shoferin.
Lidhur me këtë rast policia italiane ka bashkëpunuar me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku përgjatë një vit hetime, është konkretizuar me prova konkrete përfshirja e tij në këtë trafik droge.
Sipas prokurorisë, Lelaj ka qenë pjesë e një zinxhiri policor të lidhur me grupet e trafikut të drogës në Vlorë dhe se kishte njohje të afërt me shtetasin Renaldo Avduli, polici i Vlorës i shpallur në kërkim për “Trafik të narkotikëve”.
Në dosjen e SPAK për operacionin “Shpirti”, mes të tjerash thuhej se me ndikimin e kreut të bandës “Lanit”, Festim Lelaj e fikte për një orë radarin, që kontrollonte bregdetin dhe ujërat kombëtare, duke realizuar nisjen e mjetit me drogë.
Në kohën që ka ndodhur vepra penale në 2014-2017, Festim Lelaj ndodhej në Drejtorinë e Kufirit. Sipas të penduarve, ai merrte 15 mijë euro për të garantuar pjesën detare të trafikut dhe në përgjime atë e cilësojnë si “kokëlopa”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.