Dy të rinj nga Lushnja kanë përfunduar në pranga, pasi qarkullonin me armë zjarri me vete.
Të rinjtë janë prangosur nga policia e Durrësit, në sajë të operacionit “Shkallnuri”.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të DVP Durrës, në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Shkallnuri’, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve F. M., 23 vjeç dhe N. H., 28 vjeç, të dy banues në Fiershegan, Lushnjë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi shërbimet e Policisë kishin marrë informacion se dy persona të paidentifikuar po qarkullonin në qytetin e Durrësit dhe kishin armë zjarri me vete.
“Shërbimet e Policisë, në kuadër të operacionit, kanë ndërhyrë menjëherë në vendin e quajtur Shkallnur, Durrës, duke bllokuar mjetin me të cilin udhëtonin dy shtetasit”, vijon më tej njoftimi.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, me një karikator me 14 fishekë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Moskallëzim krimi”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




