Libra

Ndahen çmimet kombëtare të letërsisë për vitin 2020

Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit me anë të një ceremonie në ambientet e Hotel Plaza ka ndarë çmimet kombëtare të letërsisë për vitin 2020.
Gjatë ceremonisë ku rrëmbyen çmimet emra të njohur të skenës letrare të vendit tonë ishin të pranishëm dhe aktorët Viktor Zhusti, Luiza Xhuvani dhe Vasjan Lami, të cilët sollën interpretime artistike.
Në ceremoninë ku ishte e pranishme dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, u ndanë çmimet kombëtare për veprat më të mira në gjininë e prozës, poezisë, librit studimor, librit për fëmijë dhe përkthimit.
Juria e kryesuar nga Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe anëtarët: Shezai Rrokaj, Ylljet Aliçka, Ardian Ndreca, Elda Gjana, pasi ka shqyrtuar të gjitha veprat e konkurrentëve, ka vendosur për këto vepra fituese:
Çmimi Kombëtar i Letërsisë për kategorinë “Proza më e mirë e vitit” i jepet shkrimtares Flutura Açka, për librin “Biri”, për një rrëfim që shkon në zemër të lidhjes së epërme mëmë-bir, duke u kthyer në një thirrje universale mbi ruajtjen e kujtimeve, si një pasuri që e përsos gjithnjë individin.
Çmimi Kombëtar i Letërsisë për kategorinë “Vëllimi poetik më i mirë i vitit” i jepet shkrimtarit Bardhyl Londo me “Prill i hidhur”, për gjuhën e sigurt, me të cilën ndërton peizazhe të padukshme të shpirtit njerëzor, ravijëzimin e mendimit të një kohe, e cila përsëritet plot kulturë dhe mendim.
Çmimin Kombëtar të Letërsisë për kategorinë “Përkthimi më i mirë i vitit” e ka rrëmbyer përkthyesi Granit Zela, me librin “Lepur, vrapo” (John Updike), për shqipërimin mjeshtëror, duke sjellë me realizëm dhe forcë emocionale përmbajtjen dhe ngarkesën figurative të origjinalit, karakteret dhe botën e tyre të brendshme, ku “realja” njehsohet me imagjinaren, përmes një fondi të pasur fjalori me saktësi të lartë semantike dhe kulturë gjuhësore, por gjithmonë besnik i veçorive stilistike.

Çmimin Kombëtar të Letërsisë për kategorinë “Vepra studimore/eseistike/publicistike më e mirë e vitit” e ka fituar autori Artan Fuga me veprën “Origjinat e Pushtetit, Pronës, Pasurisë”, për stilin përmes të cilit ndërton historinë e shoqërisë shqiptare pas vitit ‘90, duke analizuar e reflektuar mbi transformimet e thella. Një vepër-studim, e cila shënjon një qasje të re në mendimin socio-politik shqiptar.
Çmimi Kombëtar i Letërsisë për kategorinë “Letërsia për fëmijë/të rinj më e mirë e vitit” i jepet autores Persida Asllani me librin “Udhëtimi i Babagjyshit në qytetin e 1001 dritareve”, për stilin që rindërton traditën, duke sjellë përmes një fabule universale një rrëfim edukativo-letrar plot ngjyra.
Çmimi honorifik “Muza” i ka shkuar poetit Petrit Ruka si poet i thellësive të shpirtit njerëzor, i dashurisë dhe dhimbjes, që me kalin e bardhë të poezisë tejkaloi çdo kufi kohor e hapësinor; që na mrekulloi me bukurinë e baladës, duke ngjizur traditën te modernia; me rrënjë të ngulura thellë në tokën e të parëve, e kryet gjer në re, në kërkim të hapësirave të reja shprehëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë