Ka ndodhur

Foto/ Atentat me tritol 33-vjeçarit në Vlorë, plagoset rëndë. Para 4 vjetësh i vendosën eksploziv në makinë

Një 33-vjeçar, i identifikuar si Endrit Sadedini është plagosur rëndë, pasi një sasi tritoli ka shpërthyer sapo ka hapur garazhin e tij për të marrë automjetin.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “10 korriku” të zonës së Lungomares jashtë ambienteve të një pallati rreth orës 15:10 të së dielës.

Si pasojë e shpërthimit të fortë, i riu ka mbetur i plagosur dhe është dërguar me urgjencë në spital. Një makinë e djegur është gjetur në Babicë, e cila dyshohet të jetë e autorëve të atentatit.

Sadedini i kishte shpëtuar një atentati në vitin 2017 kur i kishin vënë eksploziv në makinë. Në atë kohë ai e pikasi lëndën shpërthyese dhe njoftoi policinë.

Para 4 vjetësh, në pako kishte 500 gram lëndë eksploziv, të cilës i ishte montuar në mënyrë artizanale një celular për aktivizim në distancë.

Për këtë ngjarje u morën në pyetje 7 persona, ndërsa vetë Sadedini deklaroi në polici se nuk konflikte me njeri. Endrit Sadedini ka pasur në pronësi një lokal në Vlorë, ku në prill 2017 u vra një person dhe u plagosën tre të tjerë. Në këtë ngjarje mbeti i vrarë Ergys Gjinoveshi dhe policia arrestoi si autor të dyshuar 19-vjeçarin Gani Tozaj.

Hetimet e policisë janë përqendruar në të shkuarën e shënjestrës, pasi mësohet se po hetohet e kaluara e tij edhe jashtë vendit, ku ka jetuar për disa kohë.

Sipas informacioneve paraprake, i riu nuk ka qenë i dënuar, por ka disa precedentë të vegjël për shkak të përfshirjes në disa konflikte me persona të tjerë.

33-vjeçari është dërguar drejt Tiranës për një ndihmë të specializuar mjekësore, pasi ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, ndërsa dyshohet se si pasojë e shpërthimit ka humbur të dyja këmbët.

Edhe në ngjarjen e të dielës, dyshohet se bëhet fjalë për një atentat për larje hesapesh, ndërsa policia ndodhet në vendngjarje dhe po punohet për zbardhjen e rrethanave të shpërthimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë