“Butësia është arti i personifikimit, ndarjes së ndjenjave dhe për rrjedhojë zbulimit të ngjashmërive të pafundme”, tha shkrimtarja polake, Olga Tokarczuk, në fjalimin e saj për çmimin Nobel në vitin 2018.
Olga Tokarczuk shquhet për stilin unik të rrëfimit: qasja e saj ndaj të shkruarit karakterizohet nga dashuria, butësia dhe kurioziteti i vërtetë për jetën dhe motivimet e personazheve të saj.
E lindur në Sulechów, Poloni, në vitin 1962, ajo fillimisht punoi si psikologe klinike përpara se të fillonte të shkruante – fillimisht poezi dhe më vonë romanet që i sollën njohjen ndërkombëtare. Koleksioni i parë i poezive të Tokarczuk u botua në vitin 1989 dhe romani i saj i parë në 1993. Që atëherë, ajo është rritur në vlerësimin e kritikëve në mbarë botën, duke fituar çmimin Nike të Polonisë, Brückepreis për promovimin e mirëkuptimit të ndërsjellë midis kombeve europiane dhe çmimin Nobel 2018 “për një imagjinatë narrative që me pasion enciklopedik paraqet kapërcimin e kufijve si formë jete”.
Kufijtë dhe kalimet kufitare – fizike dhe psikologjike – mbeten elemente jetike në punën e saj. Shtëpia e saj në Krajanów në një rajon shumëgjuhësh dhe shumëkulturor pranë kufirit polako-çek shërben si sfond dhe frymëzim për disa romane.
Në një intervistë të vitit 2018 me “The Calvert Journal”, ajo vuri në dukje se “mitologjia e lëvizjes së kufijve” është thellë në familjen e saj: pa lëvizur kurrë, gjyshja e saj fitoi tre shtetësi të ndryshme: austro-hungareze, sovjetike dhe polake.
Përqendrimi i saj në vendet kufitare dhe paqartësia e tyre gjuhësore, kulturore dhe fetare ka bërë që Tokarczuk të mos jetë universalisht popullore në vendin e saj të origjinës, pasi ai përballet me një valë të fortë konservatorizmi. Shkrimi i saj shpesh mbështetet në historinë e larmishme të Polonisë – një diversitet që historia “zyrtare” është e prirur ta neglizhojë ose mohojë. Një senator i partisë në pushtet “Ligj dhe Drejtësi” pohoi se puna e Tokarczuk ishte në “kontradiktë absolute me supozimet e politikës historike polake”. Mjafton të shikohet reagimi kundër Tokarczuk – një feministe e shquar, kritike e kishës dhe avokate e drejtësisë klimatike – për të ditur se letërsia është një forcë e madhe politike. Sado mistike, kapriçioze dhe të egra, fantazitë e Tokarczuk kanë një aftësi për të nxjerrë në pah atë që tashmë është e pranishme në botën reale. “Në një det me shumë përkufizime të trillimit”, thotë ajo, “ai që më pëlqen më shumë është edhe më i vjetri, dhe vjen nga Aristoteli. “Fiksioni është gjithmonë një lloj i së vërtetës”.
Mund të filloni me “Flights” dhe të vazhdoni deri te “The Books of Jacobs”.
“Flights”
“Flights” i bën homazh një sekti nomad sllav që mendonte se të qenit në lëvizje të vazhdueshme do t’i mbante ata të fshehur nga e keqja. Ky libër me fragmente përmban gjithçka, nga biografia te hartografia, secili një variacion i konceptit titullar. Ajo ndjek zemrën e Shopenit nga Parisi në Varshavë; një nënë ruse që largohet nga jeta e saj e kufizuar dhe hyn në metrotë e mëdha të Moskës; një fluturim i mirëfilltë që fillon dhe mbaron në agim. Është një roman dukshëm modern, i frymëzuar nga “Qytetet e padukshme” të Italo Calvinos.

“House of Day, House of Night”
Në një intervistë, Tokarczuk e quajti “House of Day, House of Night” një “lloj studimi të kufirit”. Një nga veprat e saj më të hershme, ajo pretendon se ishte momenti kur kuptoi se çfarë e tërhoqi atë në hapësirat kufitare, ndërmjet (“agimi është shumë më interesant se dita apo nata”). Në roman, rrëfimtari zhvendoset në një fshat të vogël të quajtur Noëa Ruda afër kufirit çek, një vend tjetër baritor i dominuar nga një ndjenjë ankthi dhe shqetësimi. Grumbullimi i kulturave – polake, çeke dhe fantazmat e gjermanëve të dëbuar – ofrojnë një sfond të një sërë ngjarjesh të pazakonta. A është romani një mësim se si nomenklatura i jep formë realitetit – se si një bimë bëhet toksike, apo si bëhet realitet një kufi? Është fantazi? Trillim historik? Një roman fare?

The Lost Soul
Kështu fillon libri i parë i Tokarczuk për të rritur dhe fëmijë, një bashkëpunim me artisten vizuale polake, Joanna Concejo. “The Lost Soul” tregon një përrallë të shkurtër dhe të thjeshtë për një njeri, jeta e nxituar e të cilit ia kalon shumë shpirtit. Duke u zgjuar në një hotel një mëngjes, ai nuk është në gjendje të tregojë se kush është ose ku ka zbritur, dhe duhet të ngadalësojë jetën e tij. Përkthimi në anglisht i librit mbërriti në kohën e duhur për të na kapur të gjithëve duke duruar “dimrat tanë të qetë”, me jetën tonë të pezulluar nga efektet e pandemisë. Tokarczuk dhe Concejo ofrojnë një libër të vogël të bukur, ngushëllues që na inkurajon të heqim dorë nga impulsi për të qenë vazhdimisht të zënë dhe të sigurohemi se nuk e kemi lënë shpirtin pas.

The Books of Jacob
E pranuar gjerësisht se është opusi i saj madhështor dhe sigurisht që i përmbush pretendimet për nga vëllimi i tij. “The Books of Jacob” është një tregim magjepsës i një burri të ri, karizmatik hebre, që përflitet se është Mesia. Jacob Frank ishte një njeri i vërtetë, mësimet e të cilit u bënë themeli i Frankizmit, një lëvizje çifute që inkurajoi “shlyerjen përmes mëkatit”, duke festuar në ditët e agjërimit, duke përmbysur rregullat mbi modestinë dhe pastërtinë dhe duke shkelur çdo kufi moral. Nëse Frank është një mistik i vërtetë, Mesia, mbetet e paqartë, ndërsa Tokarczuk zhytet në historinë e pasur dhe të jashtëzakonshme të një pjese të Evropës në prag të Iluminizmit.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




