Qysh prej 9 shtatorit, Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha nuk ishin aq pranë me njeri tjetrin. Vetëm disa hapa larg aty në selinë e PD-së, kur vetëm në muajin korrik kur Basha u zgjodh kryetar i PD-së dhe Berisha e mbështeti, zhvilluan një bisedë të gjatë me njëri tjetrin.
Për rreth dy ore, ish-kryeministri Sali Berisha qëndroi në PD, mblodhi komisionin e Rithemelimit të vendosur nga Kuvendi i 11 dhjetorit, më pas zhvilloi një konference të gjatë për shtyp, duke dalë vizitoi edhe zyrat e FRPD-së me argumentin se “njerëz të armatosur kishin kërcënuar të rinjtë demokratë” dhe se zyrat e këtij forumi ishin bastisur.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe kryetari në detyrë i FRPD, Belin Këlliçi. “Pres policinë shkencore sepse më është vjedhur zyra, të bëhet ekspertiza, më kanë vjedhur të gjitha të dhënat personale, dhe ka shumë tension se ka njerëz të armatosur”, tha Këlliçi në bisedën e tij me policinë.
Edhe Berisha foli sërish për mediat rreth kësaj çështje dhe aty rreth orës 16.00 u largua nga selia. Basha në anën tjetër gjatë gjithë kësaj kohe (në të njëjtin kat ku Berisha mblodhi të vetët) zhvilloi një takim të gjatë me lidershipin dhe grupin e punës për zgjedhjet në organet e reja të FRPD.
Gjatë mbledhjeve paralele pati edhe ovacione në korridoret e PD-së ku mbështetës të Bashës (më të pakët në numër) thërrisnin “Basha” Basha” ndërsa të tjerë që u shtuan me kalimin e kohës në numër thërrisnin “Berisha” “Berisha”. Secila prej palëve u kujdes që të mos përfshihej në konfrontim fizik.
Berisha
Berisha akuzoi ashpër Lulzim Bashën në “shtëpinë” e vet, tha se nuk ka marrëveshje por e “garantoi” se do të vijojë të jetë deputet i PD-së, se nuk do t’i bastisë zyrën, se e ka vendin në parti sa kohë që do të lejohen fraksionet, por edhe se i nevojitet një pushim i gjatë, tha gjithashtu se Basha ka probleme me drejtësinë, se është marrë peng nga Edi Rama dhe ”plaçkitës” i kartave të anëtarësisë.
Berisha e ftoi Bashën të njohë vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit dhe kishte një thirrje të drejtpërdrejtë për kryetarët e degëve, ata që janë të lëkundur që të punojnë vetëm për referendumin e 18 dhjetorit. Berisha e la hapur derën që në seli të shkojë si kryetar.
“Kryetarin e ri do ta zgjedhin anëtarët e PD, mes disa kandidaturave. Padiskutim, do të jem pjesë e garës. Një nga momentet më të veçanta të kësaj konference është rikthimi im, jo si kryetar, por në rrugë e sipër” u shpreh Berisha.
“Jam i vendosur nëse do anëtarësia e PD, por të jemi realist, nëse rikthehem pak këto dy muajt e fundit, ju keni parë edhe në polle po edhe në salla, lakminë e madhe, dëshirën e madhe të shqiptarëve që unë të rikthehem. Cilido që mund të konkurojë është i mirëpritur, por ata qindra mijëra njerëz që presin”, tha ai. Berisha nuk ndryshoi qëndrim as nga akuzat e deritashme të tij për ambasadoren amerikane.
“Nëse unë zgjidhem në krye në PD-së orientimi pro BE dhe pro NATO do të njohë një konsolidim të paparë. Për këtë dëshmi është që ka qenë PD që ka anëtarësuar Shqipërinë në NATO. Nuk lëviz unë nga këto parime. Kjo lëvizje është sanksionimi më i madh dhe me i fuqishëm i vlerave të demokracisë amerikane dhe perëndimore. Ata nuk mendojnë se duhet të diktojnë se kush do të hyjë në parlament e kush jo. Është shkelje flagrante e Kushtetutës së SHBA-ve. Nuk do të pranohet kurrë. Do të respektohet si ambasador por nuk do të respektohet si guvernator. Është fyerje për të gjithë anëtarët. Sali Berisha do të rikthejë edhe njëherë aty ku kanë qenë marrëdhëniet me SHBA-të” tha ai.
Ish-kryeministri Sali Berisha tha se kishte parashikuar një protestë masive më datë 18 dhjetor, por që është shtyrë në afat, për shkak të referendumit..
“Problemi është se referendumi duhej bërë për shkak të festave që vijnë, shpëtojnë Edvin Kristaq Ramën e shpëtoi referendumi i peng Bashës, sepse do të kishte pasur të gjithë Shqipërinë në Tiranë. Por do të vijë shpejt ajo, revolucionin s’e ndalon kush”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.