Ka ndodhur

Planifikuan vrasjen e Preng Palucës, zbulohet banesa ku fshihej një nga autorët e dyshuar

Polizia e Lezhës ka arritur të zbulojë vendin ku strehohej Edmir Vlashi, i shpallur në kërkim për tentativën e vrasjes së Preng Palucës në Tiranë.

Autoritetet sqarojnë se është zbuluar një apartament që përdorej nga Vlashi, në të cilin u gjetën dhe sekuestruan armë zjarri pistoletë, leje drejtimi dhe dokumente të tjera të lëshuara nga një shtet tjetër.

Gjatë operacionit “Mataro” pak ditë më parë, u vunë në pranga 3 persona, Nikoll Marku dhe Marie Marku, si dhe dhëndri i tyre Mark Lamkja, u shpallën në kërkim 2 të tjerë, Hektor Ndoka dhe Edmir Vlashi. Në fakt, bashkëshortja e kryefamiljarit, Marie Marku është lënë në “arrest shtëpie” për shkak të gjendjes shëndetësore.

Hektor Ndoka dhe Edmir Vlashi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin planifikuar të kryenin një vrasje në qytetin e Tiranës, për shkak të konflikteve të mëparshme në lidhje me prishjen e pazareve të drogës, jashtë shtetit.

Ata kishin përgatitur si bazë për fshehjen e armatimit dhe të ardhurave të përfituara nga aktiviteti kriminal banesën dhe restorantit e vjehrrit të tyre.

Personi që ishte vendosur në shënjestër për t’u vrarë nga grupi i Lezhës, Preng Paluca, i kishte shpëtuar më parë një atentati me armë zjarri. Në 7 gusht të këtij viti, ai u qëllua me pistoletë pranë shtëpisë së tij në Kamëz, duke shpëtuar me plagë të lehta në trup.

Operacioni policor i koduar “Mataro”, u finalizua mbrëmjen e së martës nga Policia e Lezhës, ku u sekuestrua edhe një arsenal i madh armësh dhe mijëra euro.

Policia ka përdorur përgjimet dhe ndjekjen me metoda speciale për të, zbuluar grupin që po përgatitin eliminimin fizik të vëllezërve Preng dhe Ndoc Paluca në Tiranë.

Dyshimet janë se eliminimi i tyre është porositur dhe financuar nga një person i tretë për shkak të prishjes së pazareve të drogës, por informacionet janë tepër të rezervuara për shkak të sekretit hetimor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë