Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të shkarkojë këtë të enjte nga detyra, gjyqtarin Luan Daci, ish-anëtar i KPA-së, i akuzuar për falsifikim të dokumenteve.
“Natyra dhe rrethanat e kryerjes së shkeljes disiplinore klasifikohet ndër më të rënda dhe e bën të papërshtatshëm për kryerjen e detyrës së gjyqtarit të këtijinstitucioni. Ndaj Kolegji vendosi shkarkimin nga detyra”, thuhet në vendimin e KPA.
Edhe pse kishte një vendim të drejtësisë shqiptare që e ka dënuar dhe një vendim të KPA-së që e ka pezulluar, ish-gjyqtari Luan Daci është paraqitur në punë duke i sfiduar këto vendime. Daci është dënuar me 6 muaj burg që u konvertua në 1 vit shërbim prove.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e shpalli fajtor për veprën penale “falsifikim të dokumenteve”, anëtarin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, Luan Daci.
Ai u dënua me 6 muaj burg konvertuar në një vit shërbim prove dhe kushtin që mos ushtrojë funksione publike. Hetimet e SPAK bindën Gjykatën e Posaçme kundër Krimit e Korrupsionit dhe Apelin e GJKKO të dënojë Luan Dacin me akuzën e falsifikimit të dokumenteve për të fituar postin e anëtarit të KPA.
Luan Daci u dënua fillimisht në seancën e zhvilluar më 1 dhjetor me 6 muaj burg, dënim i cili i konvertohet në 12 muaj shërbim prove, ndërsa SPAK kishte kërkuar 1 vit burg.
Sipas SPAK dhe GJKKO, gjyqtari Luan Daci ka falsifikuar dokumentacionin në momentin që aplikoi për t’u bërë pjesë e trupës së KPA-së.
Në dokumentacionin e paraqitur në atë kohë nga gjyqtari i KPA, ai fshehu faktin se kur ishte gjyqtar në Gjykatën e Tiranës në 1997, KLD-ja me propozim të ministrit të Drejtësisë e shkarkoi nga detyra për shkelje të ligjit dhe paaftësi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.