Në raportin e fundit të FMN-së për Shqipërinë, Fondi paralajmëron mbi rritjen e rrezikut fiskal dhe mungesë e të dhënave mbi projektet e PPP-ve. Bashkë me to, rrezik cilësohen edhe vendimet e gjykatave, skema e garancisë për sektorin privat dhe mbështetja për kompanitë energjitike.
FMN sugjeron rigjallërimin e reformave në sektorin e energjisë dhe ujësjellsave për të ulur rreziqet fiskale dhe problemeve me klimën. Sipas autoritetit financiar ndërkombëtar vendimet e gjykatave mund të kenë kosto të mëdha fiskale dhe duhet të identifikohen dhe monitorohen siç duhet, si detyrime kontingjente.
FMN ka ripërsëritur kërkesën për transparencën për fondet e rindërtimit pas tërmetit, që duhet të jenë pjesë e integruar e procesit të buxhetit dhe t’i nënshtrohen kontrollit të menaxhimit të financave publike. Transparencë FMN ka kërkuar edhe për përdorimin e fondeve të Covid-19.
Menaxhimi i parasë cash dhe borxhit është një domosdoshmëri sipas Fondit, lidhur me planet e qeverisë për dalje të vazhdueshme në tregjet ndërkombëtare.
Sipas saj, forcimi i besueshmërisë së buxhetit dhe kuadrit fiskal është vendimtar për ruajtjen e besimit të tregjeve dhe uljen e kostove të huamarrjes.
FMN ka kritikuar ndryshimin e vazhdueshëm të buxheteve me akte normative, të cilat janë krijuar për t’u përdorur vetëm në rrethana emergjente. Fondi tërheq vëmendjen dhe për ndryshimin e fundit në korrik përmes një akti normativ, që shtyu arritjen e një deficiti primar zero nga viti 2023 në vitin 2024 dhe pezullimin e zbatimit të rregullave fiskale në 2021. FMN rekomandon që ndryshimet në lidhje me hartimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit duhet të ndodhin vetëm përmes procedurave parlamentare normale dhe të ndërpritet përdorimi i akteve normative për ndryshimin e buxhetit në vit, me përjashtim të rrethanave emergjente (si 2020).
“Rreziqet fiskale janë rritur dhe mungesa e të dhënave të qarta për ekspozimin e qeverisë e bën të vështirë vlerësimin dhe menaxhimin efektiv të tyre. Informacioni i kufizuar mbi ekspozimin e vërtetë të qeverisë ndaj PPP-ve është një sfidë kryesore. Skemat e garancisë së qeverisë për sektorin privat aktualisht në diskutim dhe mbështetja në rritje e sipërmarrjeve shtetërore – veçanërisht në sektorin e shërbimeve – nga garancitë sovrane dhe mbështetja buxhetore e herëpashershme shtojnë gjithashtu rreziqet fiskale. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të rigjallërohen reformat e sektorit të energjisë elektrike dhe të ujit që janë vonuar vitet e fundit, në mënyrë të të ndihmojnë në uljen e rreziqeve fiskale dhe dobësive të lidhura me klimën”.
“Shqipëria ka nevoja të mëdha rifinancimi, tregje të vogla të brendshme, një pjesë të konsiderueshme të borxhit të jashtëm tregtar me ripagime të mëdha dhe detyrime të mëdha të prapambetura të brendshme. Nevojitet një strategji e fortë e menaxhimit të borxhit për të orientuar vendimet e qeverisë për huamarrjen e jashtme tregtare, e cila është subjekt i rrezikut të rikthimit dhe kursit të këmbimit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje