Vende dhe Udhetime

Kallmeti, fshati i vreshtave që jeton me verën

Nga Megi Iskurti – Rreth 4 kilometra larg rrugës kryesore që lidh Lezhën me Shkodrën, shtrihet rrëzë malit të Velës fshati Kallmet që njihet për varietetet e rrushit me të njëjtin emër nga i cili prodhohet vera që dikur eksportohej në Vatikan dhe asokohe ishte e preferuara e Papa Klementit XI.

Edhe pse kazanët e rakisë dhe pajisjet që prodhojnë verën gjenden thuajse në çdo shtëpi të këtij fshati, e vetmja kantinë është ajo e Gjokë Gjinit i cili tregon për Gazetasi.al se Kallmeti është varitetet autokton, më i hershmi që është njohur që në shekullin I pas Lindjes së Krishtit.

Në këtë fshat tashmë duket se qëllimi kryesor i banorëve të zonës është përpjekja për t’u identifikuar.

Historia është ajo çka mban gjallë egon e tyre. Në rrafshin kulturor, Kallmeti, ky fshat me peshë të madhe është vendi ku kanë lindur e kanë kontribuar disa nga figurat më të njohura të historisë sonë.

Por nëse rruga e re që përshkon fushën verilindore nuk do ishte aty ku është, fshati do ishte bajagi larg dhe as përpjekjet e stërmundimshme të vendasve nuk do mjaftonin për t’i dhënë zë atij.

Kantina “Kallmeti” u themelua në vitin 2006 falë pasionit të tre vëllezërve Gjini.

Ajo e nisi punën me 5 mijë litra prodhim-afërsisht 7 mijë shishe por që vitin e dytë prodhimi është dyfishuar. Në 2014 arriti në 40 mijë litra ose 55 mijë shishe verë.

Kantina u vjen në ndihmë të gjithë komunitetit të zonës pasi Gjoka rrëfen për Gazetasi.al se rrushin e blen nga banorët e fshatit, një pjesë të të cilëve edhe i ka të punësuar aty, disa me kohë të plotë dhe disa të tjerë si punëtorë sezonalë.

Pasuria e natyrës vendase duhet t’i turpërojë banorët për vitet e shumta të emigracionit. Zona është një ndër më të begatat në Shqipëri dhe po aq sa për verën shquhet edhe për fasulen e kuqe apo për prodhimin e vajit të ullirit.

Por, për hir të historisë ky fshat ka mbetur më shumë i njohur për kultivarin e jashtëzakonshëm të vreshtës që e bën atë të mos përngjajë me asnjë fshat tjetër tipik shqiptar, një njësi etnografike e veçantë në rrethin e Lezhës dhe krejt Shqipërinë.

Tradita e kultivimit të rrushit dhe bërjes së verës në këto zona është shumë e hershme. Familjet vreshtare dhe verëprodhuese të zonës, të ndihmuara edhe nga hierarkia religjioze disa shekuj më parë kanë arritur edhe të eksportojnë verë në Venedik e Vatikan.

Vera Kallmet është cilësuar si një ndër tre verërat më të mira në një konkurs në Francë në vitin 1943 ndërsa në kohën e kumunizmit servirej në të gjitha pikat e Albturizmi-t i cili atëbotë ishte i vetmi operator turistik që kontrollohej nga shteti si më të zgjedhurit.

Banorët rrëfejnë se prodhimi i verës cilësore nuk është një punë e lehtë dhe ka peripecitë e saj.

Fillimisht duhet të vilet dhe të seleksionohet rrushi, pasi një verë cilësore kërkon që ai të jetë sa më i pastër. Mandej ai shtrydhet në makineri, ku bëhet ndarja e viles dhe futet në cisternë.

Matja e lëngut me mushtometër bëhet çdo ditë, pasi sasia e sheqerit ka raste që arrin nga 22-30 për qind. Kur sheqeri ulet në zero, vera është bërë.

Kallmeti nuk është rrush me shumë lëng dhe zakonisht e ka 2/1 raportin e prodhimit, por është pikërisht ëmbëlsia e tokës që i jep veçanti kësaj vere, përqindja e alkoolit të së cilës varion nga 13-15.

Vreshtat janë përgjithësisht me sipërfaqe relativisht të vogla të ngritura nga familjet e zonës në terrene kodrinore dhe në rrafshe te pjerrëta me strukturë zallore ku rrushi mund të shprehë maksimumin e potencialit të tij.

Gjoka tregon për Gazetasi.al se interesimi për verën ka ardhur në rritje ndër vite dhe se prodhimi po shumëfishohet por tregu i verës ndeshet jo pak herë me problematika të shumta.

“Ndihemi të rrezikuar sidomos nga importi, por edhe nga prodhimi i palicencuar vendas”, thotë administratori i kantinës.

Vera e importit është pozicionuar shumë mirë në treg, me një klientelë po ashtu të qëndrueshme, me kërkesë në rritje dhe të pacënueshme nga prodhimi vendas.

Shumë kantina të mëdha komerciale që janë nga Kosova, jugu i Italisë ose Maqedonia operojnë në treg me çmime shumë të lira. Prodhimi vendas vazhdon të ketë vështirësi në konkurrencë, pasi kantinat e vendit janë të vogla dhe nuk kanë hyrë ne zinxhirin industrial të prodhimit.

Informaliteti është gjithashtu një tjetër sfidë.

“Është një treg relativisht i ri në standarde dhe hapësirat për abuzim janë të mëdha.Edhe konsumatorët në mungesë të dijeve nuk ështe se janë mjaftueshëm kërkues.”

Konsumatorët shqiptarë nuk shquhen për njohës të mirë të verërave, madje duhet thënë se të rrallë janë ata që i njohin, kjo edhe për shkak të mungesës së kulturës në shijimin e këtij produkti.

Por megjithatë, përpjekjet e Gjokës nuk kanë të sosur. Ai eksploron vazhdimisht mundësi të reja për verën e tij “Kallmet”,të preferuar brenda dhe jashtë vendit.

Kantina punon çdo ditë për t’i dhënë shijen asaj nga e cila merr emër dhe famë  i gjithë fshati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë