Ndërtimi i një objekti me sipërfaqe 5000 metër katror në zonën e mbrojtur të Llixhave në Elbasan ka zbuluar korrupsionin e Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në këtë bashki.
Policia ka vënë në pranga 2 inspektorë dhe 6 qytetarë, si dhe ka shpallur në kërkim pronarin e një hoteli në Llixha, për ndërtim të paligjshëm.
Në një njoftim për mediat blutë e Elbasanit sqarojnë se janë arrestuar: Donald Ziu, 28 vjeç dhe Alian Zabeli 34 vjeç, me detyrë inspektorë të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Elbasan, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës“.
Po ashtu një urdhër arresti është vendosur dhe për: Indrit Çekrezi, 33 vjeç, Xhoi Pëllumbi, 23 vjeç, Kristo Gjyla, 35 vjeç, Albion Dedja, 39 vjeç, Shkëlqim Vlashi, 35 vjeç dhe Kledis Muça, 21 vjeç, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Në kërkim është shpallur 64-vjeçari me Todi Puka, banues në Kuqan, Elbasan, pronar i një hoteli në Llixha, Elbasan, i dyshuar për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Gjatë hetimeve të kryera për një ndërtim pa leje me sipërfaqe rreth 5000 metër katror në zonën e Llixhave, në pronësi të Todi Pukës, është dyshuar për korrupsion nga punonjësit e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit që mbulojnë qarkun Elbasan, duke favorizuar një ndërtim pa leje.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 64-vjeçari ka ndërtuar një kompleks me sipërfaqe të madhe, në një zonë të mbrojtur, pa lejen e organeve kompetente.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




