Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 3 muaj e 6 vite burg për gjyqtaren e Krujës Enkelejda Hoxha, e cila akuzohet se lironte persona të dënuar nga burgu me raporte false kundrejt ryshfetit.
SPAK ka kërkuar edhe 4 vite burg për avokatin Aldo Tabaku, i cili ndërhynte për ndryshimin e vendimeve dhe 3 vite burg për Sekretaren e Gjykatës, Manuela Mallkuçi.
Po ashtu, SPAK kërkon nga 2 vite burg për Bledar Petanin, Saimir Petanin, Altin Skëndaj, Gazmir dhe Gentjan Nezajn e Isuf Tanezin, ndërsa për Trëndafile Fagun, ka kërkuar 9 muaj burg.
Gjyqtarja e Krujës u arrestua pas përgjimeve të kryera dhe sigurimit të provave nga SPAK për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim.
Mes bashkëpunëtorëve të Hoxhës për nxjerrjen e të dënuarve nga burgu përmes raporteve false dhe vendimeve të pambështetura në ligj, sipas SPAK është edhe avokati Aldo Tabaku.
Ky i fundit, sipas SPAK, bënte rolin e sekserit mes familjarëve të të dënuarve dhe gjyqtares Hoxha me qëllim lirimin e tyre.
Pjesë e dosjes së SPAK është edhe sekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallkuçi, e cila akuzohet se përgatiste dosjet e gjykimit në atë mënyrë që të dënuarit që kishin paguar, të dilnin pikërisht para gjyqtares Hoxha për gjykim.
Gjatë seancave gjyqësore, prokuroria përdori një sërë përgjimesh dhe vëzhgimesh ambientale, që përfshijnë të hetuarit edhe pse vetë të akuzuarit kanë mbajtur një qëndrim mohues.
Gjyqtarja Enkelejda Hoxha e njohur për lirimin para kohe me kusht të shumë emrave të njohur të botës së krimit, u arrestua në sallën e gjyqit më 11 shkurt të këtij viti, në momentin që do të merrte një tjetër vendim për lirimin nga qelia të një të dënuari me 25 vite burg. Së bashku me ish-gjyqtaren Hoxha u arrestuan edhe 9 persona të tjerë.
Emri i ish-gjyqtares lidhet me lirimin e shumë të dënuarve me burg përjetë, mes tyre edhe Endrit Dokle, Genc Tafilit, si dhe ai edhe Hekuran Billa, i vrarë në një atentat në Tiranë një vit më parë.
Gjyqtarja Hoxha, e pezulluar nga detyra, ka kërkuar disa herë një masë më të butë sigurie për të shkangur qëndrimin në qeli, por gjykata ka refuzuar kërkesat e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.