Politike

Shqipëri-Kosovë, pa kontrolle në kufi, drejt tregut dhe abetares së përbashkët. Firmosen 16 marrëveshje të reja

Shqipëria dhe Kosova duan që të thjeshtojnë e lehtësojnë ndërveprimin mes shqiptarëve në dy anët e kufirit, përmes një serie marrëveshjesh të nënshkruara mes dy qeverive.

Mes pakteve në tryezën e mbledhjes së shtatë të përbashkët të dy qeverive janë heqja për lejeqëndrimet e përkohshme, hapja e pikës së kalimit kufitar në Shishtavec, njohjen e kontributeve shoqërore dhe për njësimin e procedurave doganore.

Sa i takon ndërlidhjes infrastrukturore, projekti më ambicioz i dy vendeve lidhet me hekurudhën. Kjo është pjesë e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në Elbasan, për studimin e fizibilitetit për ndërtimin e hekurudhës që do të lidhë Durrësin me Prishtinën.

Një tjetër marrëveshje në fushën e arsimit është njohja e ndërsjellë e diplomave dhe ambicia për të njësuar abetaren në të dyja vendet.

“Krijojmë kushte shumë më të favorshme për të dyja anët e kufirit për aksesin në tregun e punës, dhe një tjetër hap për një treg të përbashkët, ku shqiptarët mund të studiojnë, punojnë dhe pastaj të dalin në pension pavarësisht vendit gjeografik ku është. Njohja e sigurimeve shoqërore jep një mesazh të plotë për lirinë e çdo shqiptari për të jetuar e punuar në të dy anët e kufirit. Të diplomuarit e universiteteve tona shumë shpejt do të kenë njohje automatike diplomash. Hiqet menjëherë një procedurë burokratike e mbuluar me shkresa”, deklaroi në fjalën hapëse të mbledhjes, Kryeministri Edi Rama.

Ndërkaq, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij ka thënë se progresi në numër i marrëveshjeve duhet të shoqërohet me cilësinë e zbatimit të tyre, sepse “ato janë me rëndësi sa ekonomike, aq edhe historike”.

Ai ka përmendur një “traumë kolektive” kur tha se qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë të ndrydhur kur flasin për Shqipërinë, për shkak të ndryshimeve të simboleve kombëtare.

“Të thuash se jemi të lumtur që jemi një komb i ndarë, do të ishte marrëzi; të thuash se kemi dy shtete sepse kështu jemi më të fortë, do të ishte sa tepri edhe shkurtpamësi. Të thuash se angazhohesh për bashkim kombëtar, do të të shquanin për nacionalist; e të thuash se do të bashkohemi në Bashkimin Evropian, të shquajnë për diplomat”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se duhet të “flasim si diplomatë, por të punojmë si patriotë”.

“Patriotizëm sot është të luftosh korrupsionin dhe krimin e organizuar, të luftosh për mediat dhe lirinë e mendimit, të luftosh për gjyqësor të pavarur dhe ekonomi gjithëpërfshirëse me drejtësi sociale – e vetëm ky lloj patriotizmi do t’i forcojë shtetet tona dhe do të jetësojë ëndrrat e qytetarëve tanë për të jetuar krenarë në vendin e tyre”, ka deklaruar Kurti.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Blendi Çuçi, ka thënë se qarkullimi i qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës, do të lehtësohet dhe kontrollet në kufi nuk do të ekzistojnë më.

Ai ka sqaruar se kishte rënë dakord me ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, që në kufi të vendosen kamera për monitorimin e automjeteve që hyjnë dhe dalin nga vendet, por të mos kërkohen pasaportat apo letërnjoftimet nga qytetarët që kalojnë kufirin.

“Qarkullimi do të bëhet pa ndalim dhe kamerat do të regjistrojnë vetë çdo gjë, sa i takon identitetit të makinës që kalon nëpërmjet leximit të targës, dhe çdo gjë do të jetë automatike pa pasur nevojën që të ndalohet në kufi”, tha Çuçi.

Çuçi ka shtuar se kjo nuk është pjesë e marrëveshjes, por është kërkuar nga kryeministrat e të dy vendeve.

“Nga ana tjetër, nuk është pjesë e marrëveshjes, por me kërkesën e kryeministrit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës, në mbledhjen e fundit, kemi marrë masat dhe nuk do ta presim sezonin e verës për ta lehtësuar qarkullimin e njerëzve, sidomos në pikën kryesore të kalimit të dy vendeve tona.

Pas firmosjes së 16 marrëveshjeve mes dy qeverive Kosovë-Shqipërisë, Kryeministrat Rama dhe Kurti kanë dalë në një konferencë të përbashkët për media.

Kryeministri Rama tha se marrëdhënia me Kosovës shkon përtej tregut, ekonomisë, por është një marrëdhënie identitare.

“Tregu i përbashkët është një proces jo një akt, me shumë akte, do të thotë të garantojmë lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave kapitaleve dhe shërbimeve. Edhe në këto marrëveshje, nëse i referohemi asaj të doganës, është një tjetër akt drejt njësimit të tregut. Marrëveshjet në fuqi, për një sërë dokumentash që ju duken eksportuesve prapë është një akt. Cila është korniza finale e tregut të përbashkët? Lëvizja nga pika në B, nga cilëndo pikë, pavarësisht se kalon nga një shet në tjetrën ti nuk sheh ndryshim dhe dokumentat janë të mjaftueshme që ti të mbërrish në pikën tjetër. Ishim në një absurd total që për të shkuar e ardhur kishte procese burokratike, edhe për lejen e qëndrimit edhe për bashkimin familjar, ndërkohë që sot janë hequr. Kanë lënë një 5 vjeçar se ministria e do, se thonë për çfarë duhemi ne nëse nuk kemi një kontroll te njerëzit. Çdo ndërveprim nuk ka më kufi burokratik për ndërveprime që zhvillohen mes institucioneve. Një pjesë e akteve shkojnë në krijimin e një hapësire të përbashkët. Në rastin me Kosovën është një hapësirë që shkon përtej tregut, s’kemi një marrëdhënie që është e natyrës ekonomike apo sociale, por një marrëdhënie identitare, kulturore burimore, në këtë aspekt kemi edhe një sërë elementesh bashkëpunimi që nuk janë pjesë e kornizës së gjerë rajonale. Abetarja e unifikuar që duam të kemi në Shqipëri për vitin e ardhshëm, menjëherë gjen dakordësi dhe bëhet projekti i Kosovës sepse marrëdhënia jonë shkon përtej tregut të përbashkët”, tha Rama.

Rama dhe Kurti u pyetën edhe për Ballkanin e Hapur.

“Mendimi i Shqipërisë, i kësaj qeverie, mendimi im lidhur me Kosovën e Serbinë nuk është as sekret, as i panjohur, është i njëjti mendim që e kam shprehur qysh në krye të herës. Në këtë pikë, nuk ka asnjë dilemë. Sa i përket Open Balkan, kemi sigurisht dy qasje, qëndrime, opinione të ndryshme. Këto opinione të ndryshme në raport me Open Balkan nuk përbëjnë asnjë pengesë për të fuqizuar marrëdhëniet mes nesh dhe nëse do më lejoni t’i referohem shqiponjës me dy koka, është një trup i vetëm ku njëra kokë sheh nga njëra anë dhe koka tjetër nga ana tjetër. Shqiponja është e informuar vizualisht në 360 gradë prandaj mos kini asnjë dyshim se shqiponja me dy koka të kapet në befasi nga një anë e tjetra, asnjë shqetësim për këtë dhe mendoj se është vlerë e shtuar në këtë periudhë të historisë sonë që jemi shqiponjë me dy koka. Kur të vijë dita që të jemi shqiponjë me një kokë, rreziku është që të kafshojmë veten më shumë se sot që nuk e kemi këtë luks dhe këtë qëllim. Unë personalisht jam optimist për zhvillimin e marrëdhënieve tona, për këndvështrimin strategjik dhe angazhimin në funksion të këtij angazhimi. Mos prisni që debatet mes meje dhe Albinit të jenë të mbyllura. Nuk rrimë dot pa menduar dhe e kam menduar po të mendoj njësoj për të gjitha gjërat”, deklaroi Rama.

Ndërsa Albin Kurti u shpreh se mbledhja e sotme solli liberalizimin e kufirit dhe bashkëpunimin e zyrtarëve për institucionet.

“Edhe takimi që kemi pasur së bashku në Prishtinë me ekipin Rama dhe mbledhja e sotme e dëshmoi që është e mundur të dakordohen edhe pa menduar e pa e përmendur fqinjen, andaj mendoj se duhet të kemi vlerësim dhe për këtë aspekt meqë jemi shtete të pavarura, që e kanë synim BE dhe nuk kanë nevojë që sa herë bashkëveprojnë, doemos ta mendojnë, ta përmendin dhe endin fqinjin. Ajo çka bëmë sot është liberalizimi i kufirit për qytetarët dhe bashkëpunimi i zyrtarëve për institucionet. Kufiri ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë po revitializohet për qytetarët.  Ky bashkëpunim është përgjegjësi dhe detyrë e jona duke qenë se dhe interesi dhe miirëqenia e qytetarëve e kërkon një gjë të tillë. Bashkëpunimi ynë do të zvogëlojë deficitet”, deklaroi Kurti.  


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë