Drejtësia

Hetimet për Gërdecin, Fatmir Mediu kundër gjyqtares që do gjykojë çështjen

Çështja ”Gërdeci” ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, do të shqyrtohet nga gjyqtarja Albana Boksi pas hedhjes së shortit në Gjykatën e Lartë.

Por ish-ministri pretendon se e përzgjedhura për dosjen e tij ka konflikt interesi, për shkak se ka shqyrtuar disa kërkesa përgjatë procesit.

Përfaqësuesi ligjor i Mediut, pohon se në rast se gjyqtarja nuk jep dorëheqjen, do kërkojnë përjashtimin e saj për shqyrtimin  e kësaj çështjeje.

Më herët, përmes avokatit të tij mbrojtës, Mediu ka ankimuar vendimin e apelit të posaçëm për rihapje të hetimeve ndaj tij.

Rekursi u depozitua rreth 3 javë më parë nga Ardian Visha, i cili kërkon prishjen e vendimit, pasi sipas tij është antikushtetues dhe se për këtë çështje është dhënë njëherë vendim.

Gjithashtu, sipas avokatit, një tjetër argument është se vepra penale për të cilën ish-ministri akuzohet është parashkruar.

Pas vendimit për rihapjen e hetimeve, Mediu tha se ky është një proces politik, pasi ai është gjykuar njëherë për këtë çështje. Ai u shpreh se nuk është shkaktar i pasojave.

Sipas Mediut në atë gjykim e vendim, nuk ka pasur asnjë ndikim, asnjë shtysë, asnjë presion. Ai tha se përsa kohë funksionoi fabrika famëkeqe e demontimit të armëve, shpërthimi i të ciliës në 15 mars të 2008-s shkaktoi 26 të vdekur dhe rreth 300 të tjerë të plagosur, nuk ka pasur asnjë ankesë te ministri. Sipas tij, SPAK ka rihapur një çështje që është vulosur dy herë në të shkuarën.

Mediu dorëzoi menjëherë në Gjykatën e Lartë kërkesën për rekurs, ku kundërshtoi vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm që i hapi rrugë rihetimit për tragjedinë e Gërdecit para 13 vjetësh. Mediu kërkon nga Gjykata e Lartë rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Ish-ministri akuzohet për “shpërdorim të detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues.

Hetimet për tragjedinë e 26 të vdekurve dhe qindra të plagosurve dhe një dëmi miliarda lekë, janë kryer në periudhën 2008-2009, asokohe nga Prokuroria e Përgjithshme.

Shpërthimi në Gërdec ndodhi në 15 mars 2008, pak kilometra në Jug të Tiranës, duke lënë të vdekur 26 persona, pjesa më e madhe e të cilëve punonin në ish-fabrikën e demontimit të armëve ushtarake.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë