Flokët e Antonella Bordon ishin krenaria dhe gëzimi i familjes së saj. Por ndërsa pandemia e mbajti atë larg shkollës për 18 muaj, 12-vjeçarja argjentinase u zotua se do t’i priste të gjitha sa të kthehej në klasë.
Kur më në fund preu flokët, Antonella Bordon kishte probleme me gjumin. Në moshën 12-vjeçare, prerja e saj e parë e flokëve do të thoshte për të më shumë sesa një ndryshim i thjeshtë stili.
Për pjesën më të madhe të fëmijërisë së saj, flokët e Bordon ishin deri tek këmbët e saj. Nëna dhe motra e saj e krehnin çdo ditë, duke i lyer flokët me vaj rozmarine dhe duke e ndihmuar atë ti stilonte në një mënyrë që ajo të ishte rehat gjatë verës së nxehtë argjentinase.
“Natën e parë pasi preva flokët u ndjeva sikur po më mungonte diçka, pothuajse sikur të kisha humbur diçka”, thotë ajo.

Edhe pse ajo e kishte kuptuar gjithmonë se flokët e saj ishin çelësi i identitetit të saj, dy vitet e fundit e kanë mësuar Bordon të shohë se çfarë është me të vërtetë e rëndësishme për të. Kur shkolla e saj mbeti e mbyllur gjatë pandemisë, duke e lënë të mbërthyer në shtëpinë e saj jashtë Buenos Aires, duke mësuar në Zoom përmes celularit të nënës së saj, ajo ëndërroi ditën që gjithçka do të kthehej në normalitet; ditën kur ajo do të bashkohej sërish me shoqet e saj në klasë dhe korridoret e shkollës. Ajo i bëri një premtim vetes: kur më në fund të vinte dita, ajo do të priste flokët të gjata pothuajse deri në dysheme.
Fotografja nga Buenos Aires, Irina Werning, kishte flokë shumë të gjatë që fëmijë. Ajo vuri re se ky stil ishte tipik i Amerikës Latine vetëm pasi kishte jetuar jashtë vendit për vite me rradhë.
“Ndonjëherë ju duhet të largoheni nga vendi juaj për të kuptuar vendin tuaj”, thotë ajo.
Werning ka dokumentuar vajzat me flokë të gjata të Argjentinës për 15 vjet, duke eksploruar pse gratë dhe vajzat atje i mbajnë flokët më gjatë se në vendet e hemisferës veriore. Shumica e subjekteve të saj përgjigjen me arsye personale: se kujdeset për to nëna e tyre, ose që gjyshja i mbante flokët e saj të gjata.
Por Werning ka kuptuar se flokët e gjatë krijojnë gjithashtu një lidhje me rrënjët indigjene të Amerikës Latine dhe me komunitetet që besojnë se flokët janë të shenjtë, një zgjatim i vetvetes.

“Traditat dhe kultura mbështeten në historinë gojore, duke kaluar brez pas brezi, ndonjëherë pa shumë shpjegime. Këtu, nëna gërsheton flokët e fëmijës, kujdeset për flokët e saj dhe kjo është bërë një gjë kulturore”, thotë Werning.
Ajo filloi të fotografonte flokët e gjatë të Bordon tre vjet më parë dhe vazhdoi ta dokumentonte pasi pandemia arriti në Argjentinë. Gjatë kësaj kohe, fotografitë nuk u bënë vetëm për vetë flokët, ato treguan historinë e përvojës së Bordon: atë të një vajze të re në një vend gjatë një prej izolimeve më të gjata në botë.
“Gjithmonë kam menduar se nëse i pres flokët diçka do të më mungonte, por kur shkolla u ‘zhduk’ për shkak të izolimit, pikërisht kështu u ndjeva”, thotë Bordon. Një pjesë e madhe e botës së saj mungonte. Edhe pse ky projekt filloi si një studim i flokëve, kur Bordon i tha Werning-ut se më në fund do t’i priste të sajat, fotografia ishte e kënaqur kur dëgjoi lajmin pasi kjo do të thoshte se kishte përparim.

“Doja që ajo të ishte në gjendje të kthehej në shkollë, kështu që në fakt doja që ajo të priste flokët e saj, gjë që ishte kontradiktore me projektin tim”. thotë Werning.
Kishin kaluar 18 muaj… Ajo fotografoi Bordon gjatë gjithë izolimit dhe gjatë kthimit të saj në shkollë. Koleksioni i fotografise është shndërruar nga një histori për flokët në një nga krizat arsimore dhe hendeku i pabarazisë të ekspozuar nga pandemia.
Shkollat u detyruan të mbylleshin në të gjithë botën kur goditi kriza Covid-19, por në të gjithë Amerikën Latine ato mbetën të mbyllura për periudhën më të gjatë, pasi rajoni luftoi për të kontrolluar përhapjen e virusit. Fëmijët në Amerikën Latine thuhet se kanë humbur rreth tre muaj më shumë kohë në klasë sesa bashkëmoshatarët e tyre gjetkë dhe më shumë se 3 milionë mund të mos kthehen më në shkollë.
Në Argjentinë, çështja e arsimit gjatë gjithë pandemisë u politizua veçanërisht, duke ekspozuar pabarazitë e thelluara të vendit. Më shumë se 40% e popullsisë vlerësohet se jeton në varfëri, një shifër e përkeqësuar nga izolimet mbarëkombëtare. Fëmijët në zonat me të ardhura të ulëta humbën ushqimet falas në shkollë dhe shumë prej tyre mbetën të izoluar nga interneti i keq ose nga pak ose aspak akses në teknologji. Sipas një instituti në Buenos Aires, një në katër nxënës të shkollave fillore që jeton në vendbanimet më të varfra të Argjentinës e braktisën shkollimin në vitin 2020.

“Mësimi në distancë nuk është për të gjithë, sepse disa njerëz nuk kanë telefon celular, ka probleme me internetin dhe disa shkolla thjesht u dërgojnë prindërve ushtrime përmes WhatsApp-it”, thotë Werning.
Shkollat në Buenos Aires ishin në gjendje të hapeshin të paktën tre muaj përpara pjesës tjetër të vendit, kur qyteti refuzoi t’u përmbahej urdhrave të qeverisë për t’i mbajtur ato të mbyllura ndërsa numri i Covid-it u rrit. Kjo ishte veçanërisht e vështirë për Bordon: për shkak se ajo jeton më pak se një kilometër jashtë kufirit të qytetit, shkolla e saj mbeti e mbyllur.

Werning gjen një vajzë kureshtare të kufizuar nga izolimi dhe e izoluar nga miqtë e saj.
“Doja t’i tregoja jetën e saj në mbyllje, e cila ishte shumë e kufizuar,” thotë Ëerning.
Ajo jeton në një shtëpi shumë të vogël, 30 metra katrorë që e ndan me prindërit e saj, të cilët emigruan nga Paraguaj. Ata humbën punën gjatë mbylljes, kështu që hapën një dyqan në shtëpinë e tyre.
“E xhirova në momente kur ishte shumë në ankth për të ardhmen e saj, e fotografova duke e ndihmuar në dyqan. E fotografova në situata shumë të kufizuara, sepse ajo nuk i shihte shoqet dhe nuk po bënte asgjë; por flokët e saj ishin protagoniste e gjithçkaje”.
Në fund, Bordon humbi 260 ditë shkollë. Ajo ishte me fat në kuptimin që ajo jetonte në një familje ku arsimi ishte një prioritet, nëna e saj e vinte gjithmonë telefonin e saj në dispozicion në mënyrë që Bordon të mund të studionte.
Por “nganjëherë Zoom nuk funksiononte siç duhet”, thotë Bordon, “kështu që ishte e pamundur të mësoja, dhe e vërteta është se nuk kuptoja shumë gjëra, nuk ndjeja një lidhje me lëndët shkollore. Kur jam në shkollë më pëlqen, kuptoj më shumë, mund të bëjmë pyetje. Bllokimi ishte i vështirë, kështu që kur filluam shkollën pas karantinës, doja një ndryshim dhe doja të shkurtoja flokët. Ndihesha si një person tjetër pasi kisha një vit e gjysmë pa shkollë”.
Kur shkolla e Bordon u rihap plotësisht në shtator, ajo preu flokët në shtëpinë e Werning-ut, e rrethuar nga babai, motra dhe nëna e saj, të cilët qanin ndërsa ata me radhë i prisnin flokët e gjatë të vajzës.
“Flokët e saj kishin jetë dhe për mua identiteti i saj ishin flokët e gjatë”, thotë Werning.

“Unë nuk u trishtova kur i preva, përkundrazi, isha e lumtur. Unë jam bërë një person tjetër”, thotë Bordon.
Burimi: The Guardian. Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



