Ka ndodhur

Aksidentet rrugore, policia apel drejtuesve dhe këmbësorëve: Respektoni rregullat

Në Ditën Botërore të përkujtimit të viktimave nga aksidentet rrugore, policia ka zhvilluar një aktivitet sensibilzues për drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorët, ku iu bën apel që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor për të shpëtuar jetë.

Ky aktivitet vjen edhe në një kohë kur rastet e aksidenteve tragjike me pasojë vdekjen janë shtuar ndjeshëm kohët e fundit.

Krahasuar me aksidentet e dy viteve më parë, drejtori i Policisë Rrugore, Altin Qato tha se viti 2021 ka regjistruar 17 viktima më pak se viti 2019.

Qato tha se nuk është ky qëllimi i këtij krahasimi, për shkak se në dy vitet e fundit, pandemia ka ndikuar në kufizimin e lëvizjes dhe të përdorimit të rrugëve.

Një apel të veçantë ai bëri për shoferët, ku iu bën thirrje që të respektojnë këmbësorët, të respektojnë rregullat, siç është shpejtësia, vendosja e rripit të sigurimit, përdorimi i alkoolit etj. “Zbato rregullat, ke një jetë të shpëtuar”, tha ai. Megjithatë, Qato vërejti se krahasuar me statistikat, situata nuk është aty ku duhet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë