Vendet anëtare të G7 i bënë thirrje këtë të enjte Bjellorusisë që t'i japë fund menjëherë krizës së migracionit në kufijtë e Bashkimit Europian.
Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar (e cila mban presidencën e G7), Francës, Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Gjermanisë, Italisë, Japonisë dhe Bashkimit Europian, “dënojnë organizimin nga regjimi bjellorus i imigracionit”.
“I bëjmë thirrje regjimit (të Aleksandër Lukashenkos) të ndalë menjëherë fushatën agresive dhe shfrytëzuese për të parandaluar vdekjet dhe vuajtjet e mëtejshme”, thuhej në një deklaratë të përbashkët të ministrave të jashtëm të Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara.
“Organizatat ndërkombëtare duhet të kenë qasje të menjëhershme dhe mos të pengohen për të ofruar ndihmë humanitare”, thuhej gjithashtu në deklaratë.
“Veprimet e regjimit bjellorus përbëjnë një përpjekje për të larguar vëmendjen nga mosrespektimi i përhershëm i ligjit ndërkombëtar, lirive themelore dhe të drejtave të njeriut, përfshirë ato të popullit të tij”, shtuan ata.
Për më tepër, ata shprehin “solidaritetin” e tyre me Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë, viktima sipas tyre të një “përdorimi provokues të imigracionit të paligjshëm”.
Disa mijëra emigrantë, kryesisht nga Lindja e Mesme, kanë qëndruar në kamp prej ditësh, duke duruar temperatura shumë të ulëta, përballë kufirit polak, në anën bjelloruse, me shpresën se do të mund ta kalojnë atë dhe kështu të hyjnë në Bashkimin Europian (BE ).
Vendet perëndimore akuzojnë Bjellorusinë se ka organizuar këtë fluks emigrantësh në përgjigje të sanksioneve ndërkombëtare kundër autoriteteve të saj, pas shtypjes së demonstratave të opozitës në vitin 2020.
Burimi:Good.word.news /Përshtati: Gazeta "Si"
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.