Art dhe Kulture

34-vjetori i vdekjes së Lasgush Poradecit

Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir

Po përhapet dal-nga-dale një pluhúrë si një hije.

Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije,

Duke sbritur që nga qjelli përmi fshat po bëhet fir…

Edhe pse Lasgush Poradeci nuk është më midis nesh, poeti është i pranishëm artistikisht me vargjet e veprat që ka lënë.

Liriku u nda nga jeta 34 vite më parë më 12 nëntor 1987.

Në 34-vjetorin e largimit nga jeta të poetit, Qendra Kulturore “Lasgush Poradeci” në Pogradec përkujton sot emrin dhe veprën e tij, ku vë në pah se ai ishte poet i dashurisë.   

“Përkujtojmë sot 34 vjetorin e ndarjes nga jeta të lirikut të madh, poetit që i këndon dashurisë si askush tjetër, Llazar Gusho ose i njohur për të gjithë, Lasgush Poradeci.

Lasgushi është poet, prozator, publicist e përkthyes. Lasgushi është poet i më shumë se 100 poezive për dashurinë, ai ishte adhurues i fjalës arkaike dhe i shprehjeve filozofike popullore. Lasgushi filloi që herët të shkruante poezi dhe i botoi ato nga fillimi i viteve ‘20. Poezia shpreh shpirtin e njeriut dhe është humaniste.

Ndërsa e bija shkruan se i ati me veprat që ka lënë e ka kryer misionin e tij.  

“Si sot 34 vjet më parë, 12 nëntor 1987. Ti babai im, kalove në jetën tjetër. Kalove i veshur me diell e i mbathur me hënë. E kreve më së miri misionin për të cilin kishe zbritur në tokë”, shkruan e bija, Maria, teksa ka ndarë edhe një foto të të atit.

Lasgush Poradeci, (Llazar Gusho) shquhet për krijimtarinë e pasur. Krijimin e tij, Poradeci e mbështeti në katër figura elementare qielli, dheu, uji, dhe zjarri, të cilat janë edhe temat e përhershme të poezisë së tij.  Me poezitë e natyrës Poradeci jo vetëm bëri përshkrimin e natyrës, por edhe botën e jashtme njerëzore, e cila shoqërohet me trazime shpirtërore.

Poradeci është autor i dy vëllimeve me poezi “Vallja e yjeve” më 1933 dhe “Ylli i zemrës” më 1937, botuar në kryeqytetin rumun.

Përpos dy vëllimeve, Poradeci botoi tregime në prozë ndër të përkohshmet e viteve ’30-’40, veçanërisht tek “Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit. Shkrime prej tij janë shfaqur edhe në të përkohshmet Drita dhe Nëntori. Autor i më se 100 poezish, një pjesë prej të cilave edhe poezi dashurie, ai ishte edhe pëlqyes i fjalëve arkaike, shprehive popullore po aq sa i fjalëve të reja dhe eksperimenteve leksikore.

Kuteli që i redaktoi “Yllin e zemrës” do ta quante “Poeti i vetëm shqiptar që mendoi, foli dhe shkroi vetëm në gjuhën shqipe”.

Veç të tjerash ai ka shkruar edhe poemat “Eskursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta”, “Kamadeva”, baladat për Muharrem e Reshit Çollakun. Gjithashtu, përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore si “Eugjen Onjegin” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, Poemat e Hajnes, të Majakovskit e Miçkieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit; Hygoit, Mysesë, Bajronit, Shellit, Bërnsit, të Emineskut, etj.

Në nder të figurës së tij, në qytetin e Pogradecit më 27 dhjetor të vitit 2006 u vendos edhe shtatorja e Lasgush Poradeci, realizuar nga skulptori Mumtaz Dhrami.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë