Njerez

Studimi: Të rinjtë shqiptarë thonë se ‘reality show-t’ përhapin gjuhën e urrejtjes, të moshuarit ‘zgjedhin’ programet politike

Një studim i kryer në vendin tonë ka nxjerrë të dhëna në nivel kombëtar për gjuhën e urrejtjes, veçanërisht për perceptimet, përvojat dhe për besimin tek institucionet që merren me gjuhën e urrejtjes në vend. Të dhënat janë mbledhur nga një sondazh i bazuar në një pyetësor i përgatitur posaçërisht për këtë studim, i cili përfshiu një mostër prej 1511 pjesëmarrësish, të zgjedhur rastësisht, të moshave ndërmjet 18-64 vjeç. Mosha mesatare e popullatës së hulumtuar ishte 39 vjeç. Rreth 49% e të anketuarve ishin meshkuj dhe 51% femra dhe 4 të anketuar nuk preferuan ta deklarojnë gjininë.  Rreth 57% e të anketuarve jetonin në zonat urbane dhe 43% në zonat rurale. Të dhënat sipas rajonit tregojnë se rreth 28% e të anketuarve jetojnë në Tiranë, rreth 20% në Veri, 19% në Shqipërinë e Mesme dhe 33% në Jug.

Studimi u krye nga Mirela Bogdani, Pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, Federico Faloppa, Profesor i Studimeve dhe Linguistikës Italiane dhe Xheni Karaj, Psikologe, Universiteti i Shkencave Sociale, Tiranë dhe afërisht 58% e të anketuarve mendojnë se gjuha e urrejtjes është çështje kombëtare (dhe më shumë e tillë gjatë dhe pas pandemisë).

Grupmosha të ndryshme mendojnë ndryshe sa i përket se çfarë kontribuon më shumë në përhapjen e gjuhës së urrejtjes. Të anketuarit e rinj mendojnë se shfaqjet e realitetit janë programet televizive që i kontribuojnë më së shumti përdorimit të gjuhës së urrejtjes, 66% e tyre në krahasim me vetëm 25 % për 50-64 vjeçarët. Nga ana tjetër, grupmoshat më të vjetra perceptojnë se programet politike i kontribuojnë më shumë përdorimit të gjuhës së urrejtjes. Po ashtu, edhe lajmet e mbrëmjes perceptohen nga grupmoshat më të vjetra se përhapin gjuhën e urrejtjes.

Sa i përket motiveve që ‘ngacmojnë’ gjuhën e urrejtjes, varfëria (54%), statusi social, opinioni politik dhe paraqitja fizike (44 %) janë shkaqet kryesore të diskriminimit. Megjithatë, ky perceptim ndryshon kur bëhet fjalë për grupet në nevojë ku etniciteti (50%) dhe raca (44%) besohen se janë dy ngacmuesit më të mëdhenj dhe më specifikisht përgjigjet ndaj individëve LGBTI, për të cilët homo-bi-lesbo-transfobia është motivimi më i zakonshëm që ngacmon gjuhën e urrejtjes (68%). Sipas të anketuarve, gjuha e urrejtjes nuk përhapet vetëm në median sociale, por edhe në shkolla, universitete dhe në vendet e punës. Ndër efektet e gjuhës së urrejtjes, ankthi, depresioni dhe dhimbja emocionale perceptohen si ndjenja kryesore që mund të përjetojë një person, i cili është në shënjestër të gjuhës së urrejtjes. Megjithatë, ndërgjegjësimi rreth asaj çka mund të bëhet për ta dalluar gjuhën e urrejtjes dhe se cilat janë burimet e disponueshme, duke përfshirë kuadrot ligjore për mbrojtjen e “viktimave” të gjuhës së urrejtjes, duket se është relativisht i ulët, gjithashtu edhe mes grupeve në nevojë.

Ankthi, depresioni dhe dhimbja emocionale perceptohen si ndjenjat kryesore që përjeton një person i shënjestruar nga gjuha e urrejtjes, përkatësisht me mostrën totale prej 69% dhe 66%. Humbja e vetëbesimit perceptohet kryesisht nga të anketuarit e rinj në krahasim me më të moshuarit. Rezultatet janë të ngjashme me grupet më të ndjeshme që sërish mendojnë se ankthi, depresioni dhe humbja emocionale ka më shumë gjasa të përjetohen nga personi që shënjestrohet nga gjuha e urrejtjes.

Të dhënat për përvojën me gjuhën e urrejtjes tregojnë se shumica e të anketuarve nuk i janë ekspozuar personalisht gjuhës së urrejtjes, 61%, dhe rreth 32% kanë dëgjuar për të tjerë dhe 14 % e kanë përjetuar personalisht gjuhën e urrejtjes. Më shumë se gjysma e pjesëmarrësve, kur kanë qenë dëshmitarë të ndonjë rasti të gjuhës së urrejtjes ndaj dikujt tjetër, kanë deklaruar se kanë ndërmarrë veprime, rreth 22% nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim dhe rreth 19% kanë dashur të bëjnë diçka, por nuk kanë ditur çfarë të bëjnë.

Ndërkohë, niveli i njohurive për ligjet që i mbrojnë njerëzit nga gjuha e urrejtjes duket se është në masë mesatarisht i ulët, me vetëm 8% të të anketuarve që janë në dijeni të ligjeve të tilla dhe rreth 37% kanë dëgjuar diçka, por nuk janë shumë mirë të informuar.

Në raste të gjuhës së urrejtjes, familja dhe/ose miqtë janë kanalet kryesore për të kërkuar ndihmë për 55% të anketuarit, pasuar nga mjeku dhe psikologu (25%) dhe policia (24%).

Rreth 11% e të anketuarve kanë deklaruar se nuk do të shkonin të flisnin me askënd ne rast se përjetojnë gjuhë të urrejtjes. Bazat mbizotëruese për këtë tendencë është se ata e pranojnë që askujt nuk i intereson (rreth 56%), ose sepse askush nuk do t’i marrë seriozisht (21%).

Të anketuarit u pyetën se çfarë mendonin, cili ishte motivi më i zakonshëm që nxit përdorimin e gjuhës së urrejtjes. Ata mund të zgjidhnin më shumë se një alternativë për të deklaruar të gjitha motivet që ishin relevante për ta. Të dhënat tregojnë se më shumë se gjysma e të anketuarve mendojnë se varfëria ose të qenit pa strehë nxit përdorimin e gjuhës së urrejtjes. Rreth katër në dhjetë të anketuar mendojnë se statusi social, opinioni politik, ose paraqitja fizike janë motive për gjuhë të urrejtjes. Të dhënat sipas gjinisë tregojnë se varfëria perceptohet se nxit gjuhën e urrejtjes vetëm pak më shumë nga burrat në krahasim me gratë. Nga ana tjetër, opinioni politik perceptohet nga burrat si motivi i dytë më i zakonshëm që shkakton gjuhë të urrejtjes. Për gratë, paraqitja fizike duket të jetë motivi i dytë i gjuhës së urrejtjes.

Në kohën e pandemisë së Covid-19, sondazhi përfshiu edhe një pyetje të dedikuar për të matur opinionin nëse pandemia perceptohej të kishte ndikuar mbi përdorimin e gjuhës së urrejtjes. Rreth 45% mendojnë se pandemia ka ndikuar tek rritja e gjuhës së urrejtjes, përkatësisht 32% mendojnë se gjuha e urrejtjes është rritur në përgjithësi dhe 13% mendojnë se është rritur ndaj individëve ose grupeve specifike. Rreth 11% mendojnë se përhapja e gjuhës së urrejtjes është ulur si rezultat i Covid-19 dhe 29% mendojnë se pandemia nuk ka pasur ndikim mbi përdorimin e gjuhës së urrejtjes. Rreth 15% nuk mund të thonë ose nuk kanë asnjë ide për ndikimin e Covid-19 mbi përdorimin e gjuhës së urrejtjes. Të anketuarit u pyetën se në cilin kontekst mendojnë se gjuha e urrejtjes përjetohet më së shumti në vend. Sipas mendimit të tyre, rreth 64% e të anketuarve mendojnë se media sociale është një kontekst ku gjuha e urrejtjes përjetohet më së shumti. Rreth gjashtë nga dhjetë mendojnë se shkollat ose universitetet janë një kontekst ku njerëzit mund të përjetojnë gjuhë të urrejtjes. Më shumë se gjysma mendojnë se vendet e punës janë një tjetër kontekst ku njerëzit mund të përjetojnë gjuhën e urrejtjes. Mjediset sportive dhe platformat për komunikim direkt, si Zoom, perceptohen më së paku si kontekst ku përjetohet gjuha e urrejtjes, përkatësisht me 19% dhe 13% të të anketuarve.

Të dhënat sipas grupmoshave tregojnë se grupmoshat e reja kanë më shumë gjasa t’i ekspozohen gjuhës së urrejtjes. Pothuajse asnjë i anketuar i moshës 50-64 vjeçare nuk i është ekspozuar gjuhës së urrejtjes. Nga ana tjetër, rreth 27% e të anketuarve të rinj, 18-29 vjeç, i janë ekspozuar gjuhës së urrejtjes online, disa herë ose shumë shpesh, në krahasim me 16% në radhët e 30-49 vjeçarëve dhe 3% në radhët e grupmoshave më të vjetra.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë