Ngjarje

Vetëvritet në Itali shqiptarja që çoi 40 trafikantë në burg

U trafikua në vitin 1996 nga Durrësi në Itali, ku pas vitesh të tëra shfrytëzimi për prostitucion nga një grup i fuqishëm kriminal shqiptaro-italian mori guximin që t’i denoncojë dhe falë denoncimit të saj përfunduan në burg 40 persona dhe 80 të tjerë u hetuan.

Pjesa më e madhe e tyre ishin shtetas shqiptarë. Por, pavarësisht se dëshmia e saj çoi në shkatërrimin e një rrjeti të rrezikshëm e të dhunshëm prostitucioni që vepronte në të gjithë Italinë, Adelina nuk e realizoi dot ëndrrën e saj, që të merrte shtetësinë italiane.

Ajo i ka dhënë fund jetës në moshën 46-vjeçare. Jetonte në Pavia dhe ishte e sëmurë me tumor, për të cilën kurohej periodikisht në spitalin Sam Matteo. Në 2018-n historia e saj u rikthye në qendër të opinionit publik italian pas refuzimit për t’i dhënë shtetësinë italiane, kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Matteo Salvini.

Në këtë periudhë, Adelinës iu refuzua aplikimi dhe iu rikthye shtetësia shqiptare. Ndonëse në gjendje të rënduar shëndetësore dhe e paaftë për të punuar, Adelina ishte zhvendosur në Romë në fund të muajit tetor për të takuar vetë personalisht Presidentin Sergio Mattarella.

Por, vajza që kishte kaluar vështirësi gjatë të gjithë jetës së saj si askush tjetër, në një moment dobësie vetëvritet. Më 28 tetor ajo vetëdigjet. Transportohet me shpejtësi në spital me djegie të rënda, por mbijeton.

Atë që nisi më 28 tetor fatkeqësisht e përmbylli të shtunën që kaloi, duke u hedhur në shinat e trenit pranë Roma Termini.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë