Ka ndodhur

Sherri për motrën në Elbasan, autori: I godita me thikë se e drogonin dhe ngacmonin

Ardit Hida ka pranuar autorësinë e vrasjes me thikë të Florenc Kovaçit dhe plagosjes së vëllait të tij, Mikel Kovaçi. Gjykata e Elbasanit ka lënë në burg këtë të hënë 24-vjeçarin për ngjarjen e rëndë të ndodhur të shtunën në mbrëmje.

Shkak i sherrit mes tyre, dyshohet se u bë një motra 14-vjeçare e autorit, familja e të cilit i ka akuzuar vëllezërit se e drogonin dhe e kanë shfrytëzuar për prostitucion rrugëve të qytetit të Elbasanit.

Gjatë dëshmisë së tij në gjykatë, Hida ka pohuar se ka qenë i dehur në momentin e krimit dhe se më herët i kishte paralajmëruar vëllezërit që të mos ia ngacmonin motrën.

Autori i krimit, Ardit Hida (majtas) dhe vëllezërit Florenc dhe Mikel Kovaçi

Ai ka thënë në sallën e gjyqit se i ka goditur vëllezërit me thikë, pasi i ngacmonin vzhdimisht motrën 14-vjeçare. “I jepnin alkool dhe lëndë narkotike. Në momentin që i takova më ofenduan rëndë, u kërkova të mos kishin kontakte me motrën time”, – ka thënë ai.

Dëshmia e autorit në gjykatë

“Pasi kisha pirë edhe një birrë tjetër në një lokal në një rrugicë aty afër, ku ndodheshin dy vëllezërit Kovaçi dhe një tjetër, shkova te ata dhe e paralajmërova atë që të mos e ngacmonte kurrë më motrën time minorene 14 vjeçe. Por ata reaguan duke më kërcënuar se do më bënin atë që nuk merret me mend”, – ka treguar Hida në gjykatë.

I riu thekson se ka humbur arsyen teksa është përleshur me dy vëllezërit Kovaçi. “Pas kësaj mu errën sytë dhe nxora biçakun që kisha me vete që e kisha marrë për vetëmbrojtje dhe nuk mbaj mënd se çfarë kam bërë. Pasi u përlesha me 19 vjeçarin Mikel Asllani që donte ta kishte me zor time motër ndërhyri dhunshëm i vëllai që më qëlloi dhe e kam qëlluar për vetëmbrojtje. Më pas i gjakosur jam larguar nga aty dhe nuk e di sesi kam shpëtuar kokën. Më vonë më ka kapur policia dhe ende jam ne gjendje shoku”.

Motra e autorit: Jam përdorur për të shpërndarë drogë

Vajza 14-vjeçare, e cila u bë ‘mollë sherri’ për krimin që ndodhi të shtunën në Elbasan, ku u vra Florenc Kovaçi, nga vëllai i saj, thotë se është përdorur për shpërndarjen e lëndës narkotike për 1 vit e gjysmë.

Ajo tha se Mikelin e kishte më shumë se shok, por miqtë e dy vëllezërve e kanë shfrytëzuar për 1 vit. Ajo tregon se i kishte treguar familjes rreth të gjithë gjërave, por pranon se i kishte kthyer shpinën atyre.

“Florencin e kisha shok, kurse me Mikelin isha më ndryshe, isha më shumë se shokë. Kam shpërndarë lëndë narkotike për 1 vit e gjysmë. Ma jepnin dy vëllezërit dhe disa persona të tjerë që më kanë shoqëruar. Pjesë e shfrytëzimit ka qenë, më kanë shfrytëzuar për 1 vit të gjithë personat që Mikeli dhe Florenci i quanin shokë dhe ishin konsumator të lëndëve narkotike. Kam folur dhe me familjen time, por isha treguar aq budallaqe sepse i ktheva shpinën familjes”,- tha ajo për TCH.

Më herët, gjyshja e Ardit Hidës, ka reaguar e revoltuar, duke mos shfaqur pendesë për krimin e rëndë të nipit të saj. Ajo tha se dy vëllezërit ia merrnin vajzën, motrën e autorit, e cila është 14 vjeçe, e drogonin dhe e shfrytëzonin për prostitucion.

Me tone të ashpra, gjyshja tha “djalit i lumshin duart”, ndërsa policisë i ka thënë “më jep armën, sepse do t’i vras të gjithë si familje”

Florenc Kovaçi mori një plagë të rëndë në zemër dhe ndërroi jetë teksa po dërgohej në spital. Vëllai i tij, Mikeli, sipas familjarëve ndodhet në spital, por jashtë rrezikut për jetën

Ngjarja e rëndë ndodhi më 5 nëntor në lagjen “Brigada 17 Sulmuese” pranë vendit të quajtur “Fusha e Sportit” në Elbasan. Hida u arrestua disa orë pas ngjarjes së rëndë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë