Politike

Basha: Koha e Berishës ka përfunduar! Tub oksigjeni për Edi Ramën që do ta këpus

Lulzim Basha thotë se lëvizja e Sali Berishës brenda Partisë Demokratike i shërben vetëm Edi Ramës. Ai e cilësoi atë si “tub oksigjeni për Kryeministrin” duke u zotuar që ta shkëpusë.

“Koha e Sali Berishës ka mbaruar. Bashkë me të ka mbaruar edhe koha e mandateve të skaduara dhe përdorimit të forumeve për arsye personale. Asgjë nuk e kthen Partinë Demokratike në bunker për interesat personale të Sali Berishës. PD ka lindur si një inspiratë e popullit shqiptar për liri e demokraci. Halli më i madh i shqiptarëve sot është regjimi i Edi Ramës. Sali Berisha është kthyer në një tub oksigjeni për regjimin e Edi Ramës. Jam i vendosur që ta këpus këtë tub oksigjeni për regjimin e Edi Ramës”, tha Basha.

Nga foltorja me të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike në Tiranë, Sali Berisha e sfidoi Lulzim Bashën duke e ftuar në debat të hapur përpara mbështetësve demokratë.

Por, përgjigja e Lulzim Bashës, pas shpalljes së zgjedhjeve të reja në FRPD, ku kryetar aktualisht me mandat të përfunduar që në 2019-n është Belind Këlliçi dhe në Lidhjen Demokratike të Gruas, ku kryetare është Albana Vokshi është thirrja e një mbledhjeje të kryesisë së grupit parlamentar.

Mbledhja mbahet në orën 18:00. Ajo vjen në një kohë ku emra si Belind Këlliçi kanë dalë në krah të Sali Berishës dhe foltores së tij, ndërsa janë paralajmëruar edhe të tjerë emra që mund të deklarojnë mbështetjen publike ndaj ish-kryetarit.

Burime nga PD thonë se diskutimet në kryesi do të lidhen kryesisht me “aksionin opozitar në parlament, por edhe ngjarjet brenda partisë pas shpalljes së zgjedhjeve të reja për drejtuesin e forumit rinor dhe grave”.

Belind Këlliçi që tashmë është rreshtuar me Sali Berishën e ka kundërshtuar vendimin për zgjedhje në FRPD, ashtu si edhe Albana Vokshi, kryetare e Lidhjes Demokratike të Gruas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë