Katër persona, njëri prej të cilëve me profesion avokat janë arrestuar gjatë një operacioni policor të koduar me emrin “Restart”, i finalizuar mbrëmjen e të shtunës kundër trafikut të narkotikëve në Korçë.
Ata dyshohet se transportonin lëndë narkotike drejt shtetit grek me makinë. Në momentin e arrestimit është sekuestruar 114 kg kanabis.
Policia thotë se në pranga janë vënë Ligor Romaçka, 29 vjeç, avokati Joni Mosku, 36 vjeç, Idriz Manej, 66 vjeç dhe Albion Çiko, 21 vjeç.
Gjatë operacionit në pikën kufitare të Goricës, është arrestuar fillimisht avokati Mosku, pasi në automjetin e tij “Opel Meriva” janë gjetur 66 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Pas kontrollit në një magazinë në lagjen ‘1’ në Korçë, i cili ishte marrë në përdorim nga Romaçka, brenda një automjeti tip “Opel Meriva”, pa targa dhe pa dokumentacion, u gjet një sasi tjetër prej 48 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe një presë që shërben për paketimin e lëndës narkotike.
Në trafikun e kanabisit drejt Greqisë, ishin të përfshirë edhe Idriz Menaj, i cili posedonte lëndën narkotike, si dhe Albion Çiko, i cili kishte kryer modifikimin e automjetit për të fshehur lëndën narkotike.
Ky i fundit në momentin e arrestimit, ishte në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Policia sekuestroi në total 114 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 1 armë sportive tip pistoletë, 4 automjete, 6 aparate celularë dhe 1 pajisje metalike (presë) e cila shërbente për paketimin e lëndës narkotike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.







