Anton Pashku, Josip Rela, Dhori Kote, Lekë Tasi e Luarasi janë disa nga autorët që do të bëhen pjesë e “Metrofest 5”.
Për të pestin vit radhazi, Teatri Metropol, teatri i kryeqytetit organizon Festivalin e dedikuar veprës shqiptare të arkivës, ku përzgjidhen vepra të ndryshme që i përkasin fillimit të viteve 1900.
“’Gof’ një vepër e shkruar nga Anton Pashku në vitin 1976, ‘Luloja’ një komedi zbavitëse me dy akte nga Dhori Kote, e shkruar ne vitin 1922, ‘Roli i Luleborës’ vepër e botuar në shtypshkronjën ‘Luarasi’ në vitin 1932, ‘Duan të fluturojnë’ një monolog skenik i shkruar nga Lekë Tasi si dhe ‘Sot 8 dite’ vepër e shkruar nga Josip Rela në vitin 1932”, këto janë veprat Teatri Metropol i ka shpluhurosur nga arkiva dhe do t’i sjellë për publikun.
“Ky festival ka si objektiv, njohjen e hulumtimin e dramaturgjisë shqipe si dhe fazat në të cilat është zhvilluar ajo. Ky edicion i pestë do të realizojë dy premiera të reja veprash të plota nga arkivi, një monodramë dhe një skicë dramatike nga arkivi që do kalojë proces laborator dhe do të hapë bisedën e tryezës së rrumbullakët; një vepër bashkëkohore dhe një komedi të realizuar në edicion të mëparshëm si përshëndetëse. Tekstet janë ripunuar nga regjisorët dhe ansambli është përzgjedhur me audicion”, thuhet në njoftimin e Teatrit Metropol.
Teatri njofton se gjatë këtyre 5 viteve që realizohet ky festival janë lexuar rreth 70 vepra shqiptare dhe janë vënë në skenë 20 prej tyre, të shkruara nga autorët Martin Camaj, Ernest Koliqi, Shpëtim Gina, Kristo Floqi, Lazër Lumezi, Halil Laze, Milo Duci, At Zef Pllumi, Lumo Skëndo, Minush Jero, Jeronim De Rada, Kristë Berisha, etj.
“Kapterr Behari” është premiera që ka çelur Metrofestin, i cili do të vazhdojë të shfaqet deri më 9 dhjetor.
Drama “Kapterr Behari” me regji të Stefan Çapalikut merret eskluzivisht me mënyrën e fabrikimit të jetëve paralele, të fshehta të krijuara te njerëzit e diktaturës. Kapterr Behari, përgjegjës për mbarëvajtjen e agjitpropit në burgun e Burrelit u lexon çdo ditë me altoparlant të burgosurve politikë librat e Enver Hoxhës dhe gazetat e ditës. Ndërkaq Pjetri, një i burgosur veteran, i dënuar me 25 vjet burg, ngarkohet herë pas here nga komandanti i burgut të përkthejë materiale top secret për llogari të Komitetit Qendror të Partisë. Për të bërë këtë punë atij i lirohet njëra nga tre qelitë e burgut dhe i vihet në dispozicion një makinë shkrimi dhe një tufë me letra.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



