Ka ndodhur

Sekuestrohen 145 kg kanabis dhe municion luftarak në Krujë, në pranga kryeplaku i fshatit Nojë

Një sasi prej 145 kg kanabis dhe armë zjarri janë sekuestruar gjatë një operacioni në Krujë të koduar “Noja”. Nga operacioni i zhvilluar nga policia e Durrësit, Krujës dhe në bashkëpunim me strukturat e SHÇBA-së, u arrestuar kryeplaku i fshatit dhe një tjetër person u shpall në kërkim.

Kryeplaku i arrestuar është H.M., 66 vjeç, banues në fshatin Nojë dhe akuzohet për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e tyre u gjet dhe sekuestrua 145 kg kanabis gati për shitje, si dhe municion luftarak.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit Bujar Sefa,34 vjeç, banues në Nojë për veprat penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Ky i fundit është një emër i njohur për drejtësinë italiane. Sefa është dënuar në Itali, me 12 vjet e 9 muaj dhe i janë konfirskuar një pasuri me vlerë deri në 346 mijë euro.

Sipas akuzës, ai ishte drejtuesi dhe organizatori i një grupi trafikantësh dhe tregtarësh të drogës në Itali. Në bashkëpunim me vëllezërit e tij, Sefa organizonte punën dhe shpërndante drogë nga Holanda në Itali.

Ai është në kërkim edhe nga autoritetet italiane. Të dënuar për drogë janë edhe 2 vëllezërit e tij, Islam dhe Jetmir Sefa . Ndërkohë, vëllai i tij tjetër, Hajdar Sefa, është arrestuar si pjesë e bandës së grabitësve të “Babagjyshave”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë