E lehtë si pilivesa, e përcaktuar si shkëmb. E hollë dhe eterike, por e bërë prej mermeri. Balerina e famshme, Karla Fraçi ka rishkruar rregullat e fizikës që zbatohen për kërcimin. Ajo – e lindur nga një nënë shtëpiake dhe një baba shofer tramvaji që i mbijetoi luftës ruse – është historia e jashtëzakonshme e një gruaje që filloi nga hiçi dhe arriti te gjithçka, duke u bërë balerina më e famshme në botë. Tani atë do të mund ta shohim në një film (Karla) që tregon shëmbëlltyrën e saj artistike, por mbi të gjitha njerëzore. “Të gjithë e njohin jetën publike të Karla Fraçit – shpjegon Alessandra Mastronardi, aktorja që do të interpretojë rolin e saj, por në këtë film ne donim t’i jepnim zë emocioneve të saj. Askush nuk i ka parë kurrë lotët e saj, plagët në këmbë, forcën dhe vendosmërinë me të cilën ajo ndoqi ëndrrën e saj: është paksa si të kalosh pranë një muri dhe të shohësh jetën e saj reale. Rezultati, pra, nuk është as një kartë e shenjtë dhe as një figurë me shkëlqim”.
Karla Fraçi është një balerinë që ka kërkuar hirin në natyrë që kur ishte fëmijë, e rrëmbyer nga fluturimi i pilivesave. Por edhe një grua që dinte të ishte përpara kohës së saj: “Për një balerinë, të kishe një fëmijë ishte një gijotinë në karrierën e saj, – thotë aktorja. – Me shembullin e saj, ajo tregoi se ishte e mundur të kombinohej karriera dhe amësia. Ajo ishte në gjendje të thyente barriera në një kohë kur disa tema ishin tabu”. Filmi është xhiruar kur Karla Fraçi ishte ende gjallë, dhe për aktoren nuk ka qenë e lehtë: “Ishte një emocion i papërsëritshëm, ndjeva një përgjegjësi të madhe. Më kujtohet dita kur unë kërceja në skenë dhe ajo në prapaskenë më shikonte. Ishte e çuditshme, duhej të ishte anasjelltas”.
Prodhuar nga Rai Fiction, filmi “Karla” do të jetë në kinema në datat 8, 9 dhe 10 nëntor; më 5 dhjetor do të transmetohet në Rai1. “Duke qëndruar besnikë ndaj historisë së saj, ne donim të përmirësonim karakterin modern të personazhit, – shton producentja Gloria Giorgianni. Një grua bashkëkohore dhe një artiste e madhe që ka mundur të pajtojë artin dhe familjen. Është gjithashtu historia e një gruaje që ishte në gjendje të ndërthurte përsosmërinë, këmbënguljen dhe talentin; një mesazh për brezin e ri: suksesi vjen vetëm me përkushtim dhe punë të palodhur”.
Një film që Karla Fraçi nuk do të mund ta shikojë. Regjisori Beppe Menegatti, bashkëshorti i saj, interpreton ndjenjat e saj: “Mund të them vetëm se Karla do të ishte jashtëzakonisht e lumtur me këtë film: ajo do të kishte qarë nga gëzimi”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




