Ka ndodhur

Krim i dyfishtë në Vlorë, nipi vret xhaxhain dhe më pas vetëvritet. Familjarët: Nuk kishin konflikte

Një krim i dyfishtë ka tronditur Vlorën mbrëmjen e të hënës, ku mësohet se nipi ka vrarë xhaxhain dhe më pas veten, ku dyshimet e para janë për një konflikt pronësie.

Krimi ka ndodhur pranë banesës në fshatin Mëkat të qytetit bregdetar. Viktimat janë Genci Koreta 39 vjeç dhe Jorgji Koreta. Nipi, Genci Koreta ka qëlluar me çifte me xhaxhain e tij dhe më pas u vetëvra.

Ndërkohë, disa të afërm, thonë se xhaxha e nip po punonin bashkë te ullinjtë kur ka ndodhur ngjarja. Familjarët thonë se nuk kanë qenë në dijeni të ndonjë konflikti mes tyre, ndërsa një zonjë tregon se 39-vjeçari ishte i pamartuar.

“I kam djemtë e axhës, nuk e di, te ullinjtë janë vrarë. Punonin te ullinjtë nipi me xhaxhanë, atje u vranë, s’e di pse. Ata kalonin mirë, u pataksëm që dëgjuam. Nuk e dimë çfarë ka ndodhur, po nuk kanë pasur asnjë konflikt, – thotë gruaja, familjare e viktimave. – Ka qenë djalë nuk e di çfarë të them”.

Sipas të afërmes, 39-vjeçari kishte qenë në emigrim përpara. Ajo mohon të ketë dijeni se shkak i konfliktit ka qenë çështja e pronave.

“Nuk e di, vetëm kur dëgjova të ëmën që po ulërinte. Ishte djalë me të gjitha cilësitë. I pamartuar. Xhaxhai rri në Vlorë me shtëpi. Jemi një fis. Nuk kanë pasur debate, ai skuqej kur fliste. Nuk kanë pasur debate për çështje pronash. Xhaxhai një copë pronë ka, se qëndron në Vlorë. Për armën nuk dimë gjë”.

Ndërkohë, në vendin e ngjarjes shkuan forcat e policisë, ku gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale armën e gjahut.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë