Dosje

Siriani u plagos për pazaret e prishura të klandestinëve në Shqipëri. Shpërthen trafiku, biznesi i paligjshëm fitimprurës

Sulmi me thikë ndaj një shtetasi sirian, që është dërguar në spital por që nuk dispononte dokumenta për t’u identifikuar ka shtyrë policinë që të hapë e të kqyrë dy telefonat e tij duke përforcuar idenë se ndeshja mes tij dhe një personi tjetër ka ndodhur për shkak të aktivitetit në trafikun e klandestinëve.

 Ky person që më pas është zbuluar dhe ka inicialet M.M, u godit me armë të ftohta në fund të muajit shtator, thanë burime të sigurta të Gazetasi.al.

Por hetimet e policisë antitrafik bëhet me dije se kanë marrë drejtim tjetër mbas të dhënave që u përftuan nga aparatet e telefonit që fillimisht nisën për të zbuluar identitetin e të plagosurit dhe që i kanë përforcuar idenë policisë së shtetit se bëhet fjalë për një trafikant klandestinësh që siguronte bazën midis Vorës dhe Laprakës për emigrantët që udhëtojnë nga Greqia dhe që qëndrojnë përkohësisht në Tiranë derisa gjendet shtegu për t’i kaluar drejt Kosovës apo Malit të Zi. “Kemi dyshime,- këmbënguli zyrtari i policisë së drejtorisë vendore Tiranë, se i dëmtuari është pjesë e një rrjeti trafikantësh që transportojnë emigrantë nga vendet e lindjes, përmes Greqisë mbërrijnë në Shqipëri dhe prej këtu ata lëvizen drejt vendeve të Europës.”

Por çfarë e bëri antitrafikun të dyshojë?

Janë disa numra telefoni- u shpreh njëri nga zyrtarët e policisë- me të cilët i plagosuri ka biseda frekuente dhe të përditshme. Pikërisht me këta abonentë M.M bën bisedë për klandestinët që do transportojë dhe pagesën. “ Ky shtetas përmendet si Abu- deklaron zyrtari- që në gjuhën arabe do të thotë vëlla”.

 Në një moment burimet e Gazetasi.al thonë se siriani i tregon bashkëbiseduesit se  do të udhëtonte drejt Korçës dhe se do të merrte disa emigrantë. Ata numërohen herë 6 e herë 8 persona në këtë bisedë. Por sipas të njëjtit burim zyrtar të Gazetasi.al , biseda merr drejtim tjetër kur së bashku sirianët flasin nëse do të ishte apo jo pagesa “ 300 euro për person”?

Bisedat që mbahen me Abu  vijojnë me kërkesat për lokationin, ato zhvillohen në gjuhën angleze dhe në një çast siriani pyet : A ke një makinë për në Morinë, sa kushton?

Policia antitrafik i bën me dije Gazetasi.al se marrja me qira e automjeteve për këtë qëllim, pra për transportin e emigrantëve me shumë gjasë është kthyer në një trend dhe këtë e konfirmojnë dyshimet për bisedën në vazhdim midis Abu dhe personit tjetër. Të dy ata fillojnë negociatat dhe parashikojnë që numri i emigrantëve të lindjes që duhen transportuar dhe u duhet ofruar ndihmë shkon në 130, dhe teksa dërgohen lokatione për ta herë pas here shkruhet “300.. 400.. 500..” .

“Ne dyshojmë,- tha policia e Tiranës për Gazetasi.al, se numrat e fundit janë vlerat e parave që depozitohen për çdo person që përshkron Shqipërinë dhe dorëzohet tek trafikantët e tjerë që garantojnë në vijim udhëtimin.”

Si destinacion fundor policia dyshon se është Morina e Kukësit, por burimet e Gazetasi.al shtojnë se nuk është vetëm vija e gjelbër porta prej nga dilet prej vendit.

“Sirianët dhe emigrantët e paligjshëm po nxirren me mënyra të sofistikuara përmes kufirit detar të Vlorës dhe dyshojmë se një rrjet i organizuar më së miri po e kryen këtë përmes mjeteve detare.

"Pak kohë më parë lundrimi detar drejt Italisë duke u nisur nga qyteti i Vlorës me 50 sirianë në bord dështoi për shkak të kushteve detare, ata ngecën në det për gati 4 orë  dhe për t’i shpëtuar u angazhua roja bregdetare” – kujtoi zyrtari i policisë për Gazetasi.al.

Ky udhëtim dhe kontrabandim i njerëzve me gomone sipas burimeve shumë të sigurta të Gazetasi.al, si çdo udhëtim tjetër përmes detit konsiderohet me faturë më të shtrenjtë sesa udhëtimi në këmbë.

“Destinacioni është më i shpejtë dhe migrantët nuk humbasin shumë kohë duke u endur nëpër Ballkan si në rastin e udhëtimit në këmbë, me furgonë , dhe me makina të marra me qira” – interpretoi njëri nga ekspertët e policisë kufitare në anonimitet sipas të cilit pagesat për udhëtimin e rrezikshëm në det nga Vlora kap vlerën e 3 mijë eurove për person.

Në këto kosto përfshihet edhe strehimi në hotel siç ndodhi me 50 emigrantët që qëndruan në një hotel në Tiranë dhe më pas u priten në një banesë nga një shtetas nga fshati Trevllazër.

"Duhet thënë që zbulueshmëria e policive lokale lë për të dëshiruar dhe ndonëse trafiku i klandestinëve gjatë 2021 po kryhet në forma të sofistikuara, kapja e migrantëve kryesisht ndodh vetëm rastësisht siç edhe ndodhi në episodin e 50 migrantëve në Vlorë që ngecën në det nga kushtet e këqija” – mbyll dëshminë e tij për Gazetasi.al eksperti i policisë Kufitare

Por nga ana tjetër shumë klandestinë të ngecur përfundimisht në Ballkan provojnë të ngjiten në mjete lundruese duke hyrë fshehtaz në portin e Durrësit. Rastet fatkeqe të tyre të regjistruara tregojnë se si njëri ndër ta i veshur me rroba të posaçme dhe me shpresën se do ja dilte, në përfundim ai u mbyt.

Ku janë paratë pyeste në një nga dosjet që ju vendos në dispozicion Gazetasi.al, njëri nga trafikantët nën hetim që sakaq kujton se 250 euro i duheshin shoferit shqiptar. I riu transportues është një i papunë që viti 2021 i ka buzëqeshur.

Ai e përshtati makinën dhe nuk e përdor për xhiro. Nga Vora B.T nën hetim nga policia e shtetit dhe nën survejim punon shofer klandestinësh që përshkron kilometrat midis Korçës dhe Kukësit kryesisht gjatë orëve të natës, ose në ditët e ngarkuara me trafik. Në bordin e makinës ai mban pasagjerët e Lindjes së Mesme. Një hetim I tillë i nisur në Korçë për trafikun e klandestinëve dhe dyshimet se mos efektivë policie rrugore kishin mbyllur sytë kur trafikantët qarkullojnë me mjete private, u finalizua gjatë javës me policë që dolën në përgjime për afera të tjera që nga lokalet e mbyllura për covid deri tek heqja e gjobës.

“Nëse doni 3 persona çdo dy orë, dakord 250 personi“ këmbëngul njëri nga trafikantët që flet me shqiptarin me detyrë shofer dhe që sipas dyshimeve ai duhet të ketë siguruar edhe bashkëkombas të tjerë që transportojnë emigrantë .

“Eshtë biznes fitimprurës, nëse do marrim parasysh që njëri prej tyre transporton afërsisht 20 migrantë në muaj, llogaritë janë që ai fut në xhep 3 deri në 4 mijë euro në muaj. Pra vetëm shoferi dhe këtu zbres shpenzimin e karburantit” – këmbëngul një ekspert që është i  bindur se pavarësisht hetimeve të shumta, ende nuk është mundësuar zbulimi dhe zbërthimi i një rrjeti të vetëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë