"Ne nuk mund të garantojmë zero karbon pa asnjë angazhim dhe vetëm fjalë",- tha Boris Johnson. Ambientalistët mësuan vite më parë se pesimizmi pengon përparimin. Pra, më në fund, kemi një temë për të cilën vetë Kryeministri po aktivizohet, pasi qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nis një mori raportesh përpara samitit të klimës COP26.
Strategjia zero neto e qeverisë është angazhim i madh, i sqaruar në 368 faqe. Përmban disa premtime të guximshme: për të bërë "green" furnizimin me energji elektrike deri në vitin 2035 dhe për të ndaluar shitjet e motorëve me djegie deri në vitin 2030. Nuk është një rrugë aspak e sigurt drejt zeros neto: me shumë pak detaje mbi energjinë bërthamore, izolimin e shtëpisë dhe hidrogjenin.
Historikisht, me shumë skepticizëm ndaj shpenzimeve të gjelbra, Plani për Net-Zero karbon i Thesarit të shtetit anglez pranon se shumë projekte të gjelbra paguajnë për veten e tyre më shumë se dy herë dhe mund të rrisin produktivitetin në Mbretërinë e Bashkuar. Ndonëse me shumë debate, është mirë dhe për ekonominë e vendit që Mbretëria e Bashkuar të veprojë me herët, në vend që Kina dhe të tjerë të nisin marshin me teknologjitë e reja të përshtatura.
Kjo duhet të inkurajojë edhe konservatorët që duan të ecin përpara edhe pse të tjerët shqetësohen për koston që zero neto mund të imponojë. Protestat nga "Izoloni Britaninë" janë një kujtim i keq se si rritja e tarifave energjitike ndikon në familjet e zakonshme.
Por ky është një argument që shteti të ndihmojë në izolimin e shtëpive për t'i bërë ato më të lira për ngrohje - në vend që të mos bëjë asgjë.
Kancelari Rishi Sunak ka qenë në betejë për të frenuar tendencat shpenzuese të Johnson. Por kur vjen puna për të trajtuar ndryshimet klimatike, kostot jsnë në duart e atyre që kanë qëllim të vonojnë të hequrit dorë nga karburantet fosile.
Ndërsa ora drejt ngrohjes globale afron, limiti i sugjeruar prej 1.5 gradë Celsius duhet të vihet në punë. Nëse nuk e bëjmë këtë, brezat e ardhshëm do të paguajnë çmimin dhe është e çuditshme që Thesari të mendojë se huamarrja do të ishte e padrejtë për brezin e tanishëm.
Është shumë e vështirë të vendosësh një kosto në zero neto, sepse gjërat po ecin shpejt. Në shumicën e vendeve të botës, energjia e rinovueshme tani është më e lirë se ajo nga lëndët djegëse. Analiza nga Shkolla e Oxford Martin sugjeron se mund të jetë më e lirë nga sa imagjinojmë për të dekarbonizuar ekonominë globale të energjisë.
Krahasuar me mundësinë e vazhdimit me një sistem të mbështetur në lëndët fosile, studiuesit arrijnë në përfundimin se një tranzicion i shpejtë i energjisë së gjelbër mund të sjellë kursime neto deri në 26 trilion dollarë, nëse përdorimi i fotovoltaikëve diellorë, erës, baterive dhe elektrolizuesve të hidrogjenit vazhdon të rritet në mënyrë eksponenciale.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë parashikon që kostot botërore të energjisë do të bien deri në vitin 2050, nëse arrihet zero neto, pavarësisht rritjes së kërkesës. Kjo në vetvete do të nxiste rritjen.
Ne nuk mund të tentojmë një rindërtim të gjelbërt, nëse nëse politikat janë kontradiktore. Shtyrja e një vendimi për një termocentral të ri bërthamor nuk ka kuptim, duke pasur parasysh nevojën urgjente për furnizim të brendshëm. Dhe është thjesht e çuditshme të theksohet rëndësia e reduktimit të emetimeve të karbonit nga ndërtesat duke anashkaluar problemin e madh të betonit, siç bën strategjia e Mbretërisë së Bashkuar.
Ndërsa qeveria flet për instalimin e burimeve të nxehtësisë dhe përmirësimin e izolimit, ajo po planifikon njëkohësisht një mori spitalesh të reja, turbina me erë, stacione hekurudhore dhe ndërtesa të tjera. Nëse ato janë prej betoni, ne do të bllokojmë limitimin e përdorimit të karburanteve fosile për dekadat e ardhshme. Nëse industria e çimentos do të ishte një vend, do të ishte emetuesi i tretë më i madh i gazrave serrë në botë, pas Kinës dhe SHBA-së.
Bota parashikohet të ndërtojë më shumë se 2tn metra katrorë dysheme në 40 vitet e ardhshme. Kjo është e barabartë me shtimin e një qyteti sa Nju Jorku çdo muaj. Kështu që nevojiten veprime urgjente.
Për fat të mirë, tregu tashmë po paraqet një alternativë: lëndë druri. Druri i laminuar modern është më i qëndrueshëm se materialet e vjetra: ndërtesa më e lartë prej druri në botë, në Norvegji, është 85 metra e lartë. Dhe është e gjelbër, përderisa druri vjen nga pyjet. Për më tepër, shumë struktura druri mund të çmontohen dhe zhvendosen, nëse ndryshimet klimatike i bëjnë disa vende të pabanueshme.
“Ndërtesat të bëra me beton dhe çelik sot kanë një rrezik më të lartë për t'u shndërruar në asete të bllokuara deri në vitin 2050”, thotë Matheë Vola, drejtor i projektit në Arup, i cili ka projektuar atë që do të jetë ndërtesa më e madhe e zyrës me dru hibride në botë pranë qytetit të Amsterdamit. Vola mendon se "qeveritë do të rregullojnë gjithnjë e më shumë që ndërtesat t'i përmbahen marrëveshjes së Parisit". Disa tashmë po e bëjnë. Japonia ka promovuar përdorimin e drurit në ndërtesat publike për më shumë se një dekadë dhe i është bashkuar Franca dhe provinca kanadeze e British Columbia.
Është një ide e jashtëzakonshme që, ashtu si nafta i afrohet datës së "skadencës", kullat prej çeliku dhe betoni që ishin një tipar dallues i shekullit të 20-të mund të bëhen elefantë të bardhë.
Kalimi në zyrat e drurit nuk do të kërkojë ndonjë sakrificë të madhe. Tregu po ofron mundësi - nëse qeveritë mund të vendosin kornizat e duhura. Përndryshe thjesht po shtyjmë ditën kur sakrificat do të jenë të pashmangshme.
Burimi:Financial Times/Përshtati:Gazeta "SI"
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.