Mode

Pse koreanëve u lejohet të blejnë vetëm një çantë Chanel në vit?

Chanel ka filluar të kufizojë numrin e çantave që secili klient mund të blejë në Kore. Në rastin e disa çantave të njohura, një person i vetëm tani mund të blejë vetëm një në vit.

Sipas Hankook Ilbo, gazeta simotër e The Korea Times, Chanel Korea ka miratuar një politikë të re në të cilën secili klient mund të blejë një çantë Timeless Classic dhe një kuletë dore Coco Handle në vit.

Kjo masë vjen pas rritjes së "rishitjes" së çantave Chanel. Në dyqanet kryesore në Seul, ku ndodhen dyqanet Chanel, njerëzit janë parë duke qëndruar në radhë që në mëngjes herët ose duke hyrë me shpejtësi në dyqan sapo të hapet. Ata presin me orë të tëra që të mund të marrin sa më shumë artikuj dhe disa prej tyre duket se po i rishisin çantat me çmime më të larta diku tjetër.

"Jam shumë e lodhur duke pritur në radhë. Nuk kam kohë, është e bezdisshme dhe do energji", tha një komentues në një forum në internet për blerjen e një çante Chanel.

Një tjetër shkroi se ajo ishte e gatshme t'i paguante një rishitësi 250 dollarë në 340 dollarë më shumë duke marrë parasysh vështirësitë e të blerit një çantë në dyqanet e Chanel në Kore.

Chanel ka rritur çmimet e tij shpesh në Kore, në shkurt, korrik dhe shtator por konsumatorëve nuk duket se u intereson. Analistët e tregut thonë se pandemia duket se e ka shtuar etjen për mallra luksoze pasi dëshirat e njerëzve për udhëtime jashtë shtetit nuk mund të plotësohen.

Chanel nuk është marka e vetme luksoze që kufizon blerjet për frymë. Hermès i lejon secilit klient të blejë vetëm deri në dy çanta të të njëjtit dizajn në vit. Rolex gjithashtu kufizon blerjet për frymë në një ose dy orë çdo vit.

Konsumatorët, megjithatë, presin që çmimet e rishitjes të rriten më tej pas njoftimit të kufizimit të blerjes për frymë të Chanel.

Tregu i mallrave luksoze të Koresë, i cili është i shtati më i madhi në botë që nga viti 2020, pritet të tejkalojë 123 miliardë dollarë këtë vit. Tregu i rishitjes për mallrat luksoze gjithashtu pritet të arrijë në 6 miliardë dollarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë