Një grua 62-vjeçe ka ndërruar jetë në orët e para të së shtunës në Tiranë në zonën e Astirit, ku një banesë në katin e 3 të pallatit është përfshirë nga zjarri.
Mësohet se për t’u shpëtuar flakëve, gruaja Hava Osmënaj, e cila ndodhej brenda apartamentit, u hodh nga ballkoni për të shpëtuar.
Bashkë me të u hodh edhe djali i saj, Klodjan Osmënaj, 36 vjeç, por 62-vjeçarja mbeti e dëmtuar dhe u dërgua në spital, ku për fat të keq ndërroi jetë për shkak të plagëve që kishte pësuar. Ndërsa djali i saj ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Sipas dëshmive të banorëve, zjarri dyshohet të jetë i qëllimshëm. Djali, sipas banorëve të pallatit, vuante nga depresioni, dhe kjo ka shtuar dyshimet, ndërkohë nuk janë konstatuar rrjedhje gazi apo bombola. Flakët brenda në apartament kanë përpirë çdo gjë, e madje edhe apartamenti ngjitur është djegur pjesërisht.
Edhe Arjan Ahmetaj nga shërbimi zjarrfikës në Tiranë, ka konfirmuar se zjarri në Astir ka qenë i qëllimshëm. Sipas tij zjarri është vendosur nga djali, i cili ka dyshime se është me probleme të shëndetit mendor. “Zjarri ka qenë i menjëhershëme. Kemi një zjarrvënie të vënë nga autori, nga djali. Ka pasur probleme familjare brenda familjes”, tha Ahmetaj.
Një nga banoret që jetonte ngjitur me apartamentin e tyre, ka treguar për mediat se gruaja 62-vjeçare, ka dalë nga banesa, pasi djali i ka vënë zjarrin shtëpisë, por është kthyer që të marrë të birin. Ai nuk ka pranuar pasi kishte frikë nga policia. Pasi është futur sërish në banesë, flakët kanë përpirë brenda pak minutash gjithçka, dhe ajo është hedhur nga dritarja, për të shpëtuar. “Ka dalë dhe ka hyrë që të marrë djalin. Djali nuk donte që të dilte nga banesa se kishte frikë nga policia. Kishte hapur derën… Është kthyer për të marrë djalin, e mbuloi flaka dhe tymi. Kemi njoftuar policinë, erdhën shpejt, zjarrfikësja vonoi pak. Mua më është dëmtuar vetëm dera”, ka pohuar fqinja.
Banesa është përfshirë nga flakët rreth orës 05:55 të mëngjesit të kësaj të shtune, ndërsa nuk janë zbardhur ende plotësisht rrethanat kur ndodhi zjarri.
Disa fqinj të pallatit, pohuan se 36-vjeçari ishte edhe problematik, pasi shpesh gjuante dhe hidhte edhe gjëra nga lart. Ata thanë se e kishin denoncuar disa herë, por askush nuk reagonte.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




