Filma

Si e shikon e bija e Dritëroit filmin për shokun Zylo

Shoku Zylo tashmë flet edhe në gjuhën e filmit. Me rastin e 90-vjetorit të lindjes së poetit Dritëro Agollit u dha një parapremierë e filmit me të njëjtin titull si vepra letrare, ndërsa premiera zyrtare do të jetë në janar.

Burokrati i asaj kohe, por ndoshta edhe ai i sotëm, do të vetëballafaqohet e do të qeshë edhe ai me marrëzitë e veta.

E bija e Agollit e cilëson këtë film si një ngjarje të veçantë në kinematografi.

“Për mua është një ngjarje e veçantë, dhe me shumë kuptim në këtë 90-Vjetor të Dritëroit të madh. Që në momentin e parë kur e mora vesh lajmin e ngjizjes së idesë për të realizuar në film këtë kryevepër letrare u emocionova dhe u gjithëpërfshiva në imagjinatën e ndërtimit të figurave, personazheve, karaktereve, situatave”, është shprehur ajo në parapremierën që u dha në Kinema Millenium para regjisorëve dhe aktorëve të pranishëm.

Në fjalën e saj, Agolli cek idenë e udhëtimit paralel të veprës letrare me veprën filmike pa u ngatërruar këto dy jetë me njëra-tjetrën.

“Filmi dhe vepra përherë do të përbëjnë një debat nëse ato domosdoshmërisht shihen të lidhura e ngjizura së bashku. Në të vërtetë nuk do të duhej të ishte ashtu; pasi vepra letrare ka jetën e saj të pavarur po aq sa filmi si produkt kinematografik, ka jetën e tij pavarësisht veprës. Frymëzimi për të prodhuar filmin është vepra, por çdo devijim apo frymë ndryshe në produktin-film është i mirëkuptueshëm. Të dyja mund të jenë po aq të famshme dhe po aq të ndryshme”, është shprehur ndër të tjera ajo.

Në rolet kryesore në filmin “Rënia dhe shkëlqimi i shokut Zylo” janë aktorët Aleks Seitaj dhe Donald Shehu. Në role të tjera janë dhe aktorët e njohur si Kastriot Çaushi, Petrit Malaj, Sokol Angjeli apo dhe Kristaq Pilo, për të vijuar dhe me të tjerë emra tjerë. Në rol vjen dhe aktori i ri Endri Çela, si dhe të tjerë artistë të rinj që janë pjesë e filmit më të fundit të regjisorit Koçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë