Ka ndodhur

Tre të arrestuar për dosjen e pronave në Vlorë. Drejtori dhe specialisti inskenuan vjedhjen

Drejtori i Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së tokës në Vlorë, Bardhyl Gjika dhe specialisti i këtij dikasteri, Kreshnik Mino, janë arrestuar këtë të premte, pasi dyshohen si të përfshirë ose si persona që kanë dijeni në lidhje me vjedhjen e ndodhur 4 ditë më parë në zyrat e qarkut.

Në kuadër të operacionit të koduar “Formulari”, në pranga ka rënë edhe shtetasi Spiro Duni. Burime nga policia, kanë sqaruar se një AMTP dhe formulari 6 i regjistrimit të një prone truall në Dhërmi ishin falsifikuar në favor të shtetasit Duni.

Dyshohet e këta persona kishin bashkëpunuar me njëri-tjetrin në falsifikimin e dokumenteve të pronësisë së një toke në Dhërmi, por më pas nga frika për të mos u kapur inskenuan vjedhjen e dosjeve.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se çështja pronësore e familjes Duni po gjykohet pasi ka pasur pretendime për falsifikime.

Dokumentet origjinale janë kërkuar të vihen në dispozicion të organeve të drejtësisë dhe për të mos u zbuluar falsifikimi, funksionarët e këshillit të Qarkut kanë organizuar vjedhjen e tyre.

Këto dokumente janë origjinale vetëm në këtë zyrë dhe nuk janë administruar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Policia nuk specifikon se cili është personi që është futur i armatosur në zyrat e pronave.

Pas ngjarjes, vetë Gjika foli për mediat, duke e konsideruar vjedhjen një akt të rëndë që ndodhte në zyrat më me rëndësi  të qarkut.

Ndërkohë, kreu i Këshillit të Qarkut, Ervis Moçka, ka firmosur pezullimin nga detyra për dy punonjësit këtij institucioni të ndaluar nga policia, Bardhyl Gjika dhe Kreshnik Mino.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë