Plani i ri i qeverisë për krizën energjitike nuk parashikon rritje të çmimit të energjisë për konsumatorët familjare e biznesin e vogël dhe as kufizime oraresh. Të paktën për atë fashë (dhe jo biznesin e mesëm dhe atë të madh) garantoi kryeministri Edi Rama pas 40 minutash fjale të përgatitur në ambientet e kryeministrisë të dielën pas mesdite.
“Duke e refuzuar kategorikisht çdo pretendim e çdo ide, se kjo krizë e rëndë nuk ekziston, nuk ka lidhje me Shqipërinë, e duke ju thënë se kjo është për ne një krizë që në aspektin financiar, mund të jetë për këtë shtet deri edhe po aq sfiduese sa pandemia, me pasoja monetare ku e ku më të rënda për vendin, nëse nuk reagojmë me të gjitha forcat, jo vetëm si qeveri po si bashkësi qytetarësh të vetëdijshëm, unë ju them që plani ynë i kundërveprimit, nuk parashikon rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë e për biznesin e vogël, as parashikon ndonjë operacion kufizimesh të furnizimit me energji elektrike në shkallë vendi”, tha ai
Rama prezantoi shkurt tre pikat e planit të qeverisë për krizën;
1)E para, garantimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike për të gjithë – vijon një numër masash të detajuara.
2)E dyta, mbrojtjen e familjeve dhe biznesi i vogël nga rritja e çmimit të energjisë elektrike – vijon një numër masash të detajuara
3)E treta, garantimin e fondit të nevojshëm likuid për ndërveprimin me tregun e energjisë elektrike – vijon detajimi i instrumentave të garancisë sovrane shtetërore, që do të jenë të ripërtëritshëm, në vlerën 100 mln euro për kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike në fund të këtij viti dhe 100 mln euro në fillim të vitit tjetër, për të siguruar pikën një dhe pikën dy.
Rama u ndal më gjatë tek politikat që ka ndërmarrë deri më tani qeveria për mbrojtjen e konsumatorit dhe ktheu përgjigje për shumëkënd që shprehet se rrogat dhe pensionet ne vend janë të ulëta
“Dikush mund të thotë e mirë, këtu s’ka ndonjë gjë, për sa kohë nuk rriten pensionet në mënyrë domethënëse. Disa madje thonë, bëjeni pensionin minimal 300 euro dhe pagën minimale 500 euro, pastaj mund të keni fytyrë e të na dilni përpara.
Unë ju them, nëse ne e rrisim pensionin minimal sot jo në 300 euro, po në 300 mijë lekë, në fund të vitit të ardhshëm ne duhet të mos bëjmë më investime dhe brenda 2 vjetësh, do të përjetonim falimentimin më tragjik të shtetit, ku jo vetëm s’do kishte më pensione, po për herë të parë në historinë e Shqipërisë, qysh nga koha e Skënderbeut, do të shikonim çfarë do të thotë në të vërtetë të vdesësh për bukë.
Ndërsa nëse e rrisim edhe pagën minimale jo në 500 euro, po në 500 mijë lekë sa hap e mbyll sytë, na duhet më pas se një vit që të hyjmë në krizën e parë të urisë në 500 vjet histori.
E thënë ndryshe, që të jemi të qartë, pagat e pensionet në një vend rriten njësoj si të ardhurat në një shtëpi dhe nuk ka prind në botë, që nuk do t’i japë më shumë fëmijës së tij, por po ashtu nuk ka prind të përgjegjshëm në botë, që i jep fëmijës sot edhe atë që duhet për nesër dhe nesër e le fëmijën të vdesë për bukë”
Rama tha nder te tjera se çmimi i energjisë elektrike në faturën që na vjen, nuk është çmimi real i energjisë që blihet, po një çmim i kontrolluar nga shteti për mbrojtjen e konsumatorit, duke kujtuar në të njëjtën kohë se, qeveria ka vendosur edhe një mburojë më vete për shtresat më në nevojë dhe për pensionistët.
“Në kohën kur gjysma vidhte gjysmën tjetër dhe gropa e borxhit në sistemin tonë energjitik kthehej në një humnerë, që kërcënonte të merrte me vete shtetin si në 1997-ën, konsumatorët shqiptarë ishin ndarë në dy fasha.
Fasha e sipërme, pra familjet me të ardhura mesatare dhe të larta, kishin një çmim 13.5 lek për KWH, ndërsa fasha e poshtme, ku hynin njerëzit me të ardhura shumë të ulëta, që teorikisht konsumonin nën 300 KWH, kilovati ishte 7.7 lekë.
Me reformën tonë çmimi i energjisë u ul, jo u ngrit, u ul për të gjithë familjarët, pa asnjë përjashtim në 9.5 lek qysh në vitin 2015 dhe nuk është prekur më që atëherë. Ky është një çmim, nën koston e prodhimit që është mbajtur i palëvizur, pikërisht për të mos lënduar asnjë familje.
Nga ana tjetër, fasha u hoq, sepse ishte një kënetë korrupsioni e abuzimesh të padëgjuara, ku deri edhe fabrika apo 7 kurora me shtatë vila dykatëshe, paguan si të ishin një familje e varfër me ndihmë ekonomike”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.