Pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar të ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, avokati i tij paraqiti kërkesën aspak surprizë, një lëvizje që Gazetasi.al e paralajmëroi më herët.
Sapo SPAK paraqiti urdhrin për të kërkuar ish zyrtarin jashtë Shqipërisë, mbrojtja ka bërë lëvizjen tjetër me qëllim pezullimin e burgimit prej dy vitesh.
Këtë kërkesë do ta shqyrtojë gjykata e posacme bazuar në shkresa dhe pretendimin që Llalla ka probleme shëndetësore dhe gjendja e tij do të përkeqësohet në rast se mbyllet në qeli, kërkesë kjo që mund të marrë vlerë nëse avokati do të depozitojë epikrizën e mjekëve të huaj.
Sepse në rast se epikriza e mjekëve shqiptarë është e diskutueshme, nuk do ketë të njëjtën fuqi rezultati i mjekëve të huaj që me siguri ndërkohë po e kurojnë nga sëmundja që ish zyrtari vuan dhe dihet botërisht.
Ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli pas kërkesës së SPAK, pasi kanë kaluar të paktën dy javë që kur Gjykata e Apelit vendosi ta dënojë përfundimisht me 2 vite burg me akuzën për fshehje të pasurisë.
Dokumentacioni i është dorëzuar zyrës së Interpol Tiranës dhe emri i tij tashmë është në sistemin e personave të kërkuar në të gjitha agjencitë e huaja ligjzbatuese.
Pas pak orësh, pritet që në faqen Interpolit do të shfaqet jo vetëm identiteti, por edhe akuza për të cilën u dënua, mosha dhe detaje të tjera për Llallën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.