Filma

“Festivali Ballkanik i Filmit”, filmat nga Shqipëria dhe Kosova shfaqen në Romë

Për të dytin vit radhazi, Festivali Ballkanik i Filmit në Romë, Shtëpia e Kinemasë, (6-10 Tetor) është kthyer për të shfaqur më të mirën e kinemasë Ballkanike me shfaqje ekskluzive, takime me regjisorë me famë ndërkombëtare dhe njohuri për çështjet më aktuale.

Objektivi i këtij festivali është që të ofrojë, nëpërmjet kinemasë, një mundësi vjetore për reflektim, diskutim, njohje të shoqërisë ballkanike dhe stimulim të bashkëprodhimeve italo-ballkanike. I ftuar special ka qenë regjisori maqedonas MILCHO MANCHEVSKI, i cili edhe hapi Festivalin të mërkurën me një takim me publikun e intervistuar nga regjisori dhe skenaristi shqiptar, Roland Sejko.

Regjisori shqiptar, Roland Sejko me regjisorin maqedonas, Milcho Manchevski, në Ballkan Film Festival në Romë

Luani i Artë në Festivalin e 51-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia me “Before the Rain”, i konsideruar nga kritikët në të gjithë botën si një nga filmat më të mirë në kinematografinë ndërkombëtare dhe i përfshirë nga Neë York Times në listën e 1000 filmave më të mirë të bërë ndonjëherë, Manchevski ishte ndër të parët që u përball me konfliktin në Jugosllavi në mënyrë simbolike dhe poetike.

Në natën e hapjes së festivalit, regjisori takoi publikun për të reflektuar mbi rolin e kinemasë në ndërtimin e shoqërisë në Ballkan. Kjo do të pasohet nga shfaqja e kryeveprës së saj të fundit Willow, një histori intensive për mëmësinë në të cilën gruaja merr një rol avangard në thyerjen e traditës dhe respektimin e jetës. Për Manchevski, gruaja bëhet protagoniste e dramës kinematografike të së tashmes, e cila kërkon zgjidhje urgjente për problemet e botës bashkëkohore.

Mes dymbëdhjetë filmave të festivalit produksione e bashkëproduksione të 10 vendeve ballkanike, 3 kanë autorë kosovarë e një shqiptar. Pikërisht Kosovës i dedikohet dita e tretë, 8 tetori. Në prani të Ambasadores së Kosovës në Romë, Lendita Haxhitasim, do të diskutohet për produksionet e shumta, hovin e kinematografisë kosovare në të cilën gjen akoma gjurmë të dhimbshme të konflikteve e të luftës të një të shkuare jo të largët, por edhe problemet sociale e ekonomike që kanë fryrë radhët e diasporës e nxisin edhe sot emigracionin.

Një pas një, publiku do të mund të ndjekë tre nga veprat e fundit të kinematografisë kosovare të përzgjedhura: filmin “Zana” të Antoneta Kastratit, “Galaktika e Andromedës” e More Raçës dhe “Nëntor i Ftohtë” i Ismet Sijarinës.

Antoneta Kastrati, pas luftës në Kosovë, nisi të realizonte filma me metrazh të shkurtër e dokumentar të vlerësuar me çmime të ndryshme. Pas përfundimit të studimeve në regjisurë në Institutin Amerikan të Filmit në Los Anxhelos, realizoi filmin e saj të parë artistik, “Zana”, i cili u shfaq premierë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto dhe ishte kandidat për Oskar 2020.

More Raça vjen në Romë me filmin e saj të parë, “Galaktika e Andromedës”, një denoncim i degradimit shoqëror të pasluftës, i parë me sytë e një gruaje të re: një vështrim plot shpresë në thatësinë e ndjenjave e të mendimeve të Kosovës bashkëkohore.

Kastrati e Raça, bashkë me regjisoren kroate Andrea Štaka, do të jenë pjesëmarrëse të shtunën (9 tetor) në panelin ku do të diskutohet rreth prodhimtarisë kinematografike “femërore” të pasur të Ballkanit, për këndvështrimin “femëror” mbi luftën, politikën, paqen, ambientin familjen, emigracionin e mbi ato vetë.

Ndër filmat shqiptarë është përzgjedhur “Streha mes reve”, me skenar e regji të Robert Budinës u shfaq  të enjten më 7 tetor. Për trajtimin delikat të temës së bashkëjetesës paqësore mes besimeve fetare mes maleve të Shqipërisë është vlerësuar në vitin 2019 si filmi më i mirë në “Valletta Film Festival” në Maltë.

Një temë tjetër në plan të parë në këtë edicion të dytë është pikërisht roli i grave në shoqërinë dhe kinemanë ballkanike.

Të shtunën më 9 tetor në orën 19:00 Festivali paraqet panelin “Kinemaja Femërore në Ballkan” në të cilin do të marrin pjesë regjisorët Andrea Štaka (në lidhje), Antoneta Kastrati, More Raça e moderuar nga Dr. Luisa Chiodi, Drejtore Shkencore e Observatori i Ballkanit. Në prodhimin pjellor, të jashtëzakonshëm të filmave të regjisoreve të suksesshme femra ballkanike, cilat janë temat prioritare? Cilat janë ndryshimet nga kinematografia e kolegëve të tyre meshkuj? Një vizion i ndryshëm i shoqërisë? Një pritje tjetër për të ardhmen? Në veçanti, a ka dallime në historinë e grave për politikën, paqen, luftën, mjedisin, familjen, emigracionin dhe për veten e tyre? Çështje të rëndësishme, të cilave Festivali përpiqet t’u përgjigjet me një përzgjedhje të konsiderueshme të filmave të realizuar nga regjisore femra nga zona e Ballkanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë