Shqipëria ishte vendi më i afërt që shihte me sy nga Otranto. Ishte shumë i ri kur ëndërronte ta vizitonte, por ëndrra e tij u bë realitet vetëm pas rënies së komunizimit, kur me një anije të vogël private udhëtoi me të ëmën drejt brigjeve shqiptare.
Kjo është historia e Giovanni Antelmit, eksperti i projekteve të Apulia Film Commission, një nga drejtuesit e programit Interreg Albania, i cili tashmë është një nga ata persona, që ndërton ura bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Italisë.
Ai rrëfen se kjo përvojë për të është e paharrueshme edhe pas më shumë se 30 vitesh, ndërkohë që për të ëmën, takimi me Shqipërinë ishte sikur të rigjente Brindizin e viteve ’50-të.
Vendi i “dolce vita”, ku Shqipëria shihet në pëllëmbë të dorës
Otranto mund të cilësohet padyshim si porta e Shqipërisë për në Europë.
Ngushtica e Otrantos (historikisht: Ngushtica e Hidruntumit, italisht: Canale d’Otranto) bashkon Detin Adriatik dhe Detin Jon dhe vendi më i ngushtë i tij është midis Gadishullit te Karaburunit në Shqipëri dhe Otrantos në Itali, me 71 km gjerësi.
Ngushtica, së cilës i jep emrin qyteti, lidh Detin Adriatik me detin Jon dhe ndan Italinë nga Shqipëria. Porti është i vogël dhe ka pak tregti.
Otranto ndodhet në bregun lindor të gadishullit Salento. Qyteti është pjesë e provincës së Leces në Pulia, në një rajon pjellor, dikur i famshëm për racën e kuajve.
Në periudhën romake, meqenëse është porti më i afërt në bregun lindor të Detit Adriatik, qyteti me shumë gjasë ishte më i rëndësishëm se Brundisium (Brindisi i sotëm) ndërkohë që edhe distanca deri në Apoloni (në Shqipërinë e sotme) ishte më e vogël se nga Brindizi.
Një fakt me interes është se Otranto ishte një qytet me origjinë mesapiane (ilire), i cili, në luftërat e Pirros dhe Hanibalit doli kundër Romës.
Është për t’u vërejtur se kjo lidhje po kaq e ngushtë e tyre është edhe me Greqinë ndërsa në këtë territor ka një minoritet shqiptar dhe grek të pozicionuar mirë.
Në Puglia jetojnë një numër i konsiderueshëm arbëreshësh, të cilët janë të vendosur në katër komuna. 12.816 arbëreshë janë përqendruar në provincën e Foggia-s, a në Casalveçhio dhe Chieuti, në provincën e Tarantos në San Marzano dhe në qytetin e Barit në Cassano delle Murge.
Pikërisht këto lidhje historike e kulturore dhe mbi të gjitha afërsia gjeografike janë ndër arsyet se pse shumë italianë vitet e fundit kanë zgjedhur të pushojnë në Shqipëri. Nga ana tjetër edhe Otranto me bukurinë dhe joshjen e detit të tij blu është një destinacion i mrekullueshëm turistik për shqiptarët.
Plazhet e Pulias, ku bën pjesë edhe Otranto mund të cilësohen si një perlë e fshehur e Italisë.
Nga ana tjetër edhe ushqimi është një nga gjërat më të veçanta që ky vend ofron.
Për shkak të historisë dhe vendndodhjes, tradita e gatimeve në rajon është influencuar nga kuzhina greke, spanjolle, arabe dhe franceze.
Ndaj, nëse doni të shijoni ushqimin më të mirë në të gjithë Italianë e mbase edhe në të gjithë botën duhet të vizitoni pikërisht këtë rajon.
I konsideruar shpesh edhe si vendi i “dolce vita”, për shkak të stilit të jetesës, ku njerëzit jetojnë larg ritmeve frenetike të qyteteve të zhurmshme, rajoni i Puglias dhe konkretisht qyteti i Otrantos është bërë mikpritësi i një eventi të veçantë, i emërtuar EGO-East Gate Otranto.
I zhvilluar në fund të shtatorit nga Apulia Film Commission dhe Otranto Film Festival në bashkëpunim me Balkan Film Market, EGO shërbeu si urë bashkëpunimi ndërmjet profesionistëve në fushën audiovizuale në Itali, në Ballkan dhe në Europë.
E parë si një platformë e re për nxitjen e bashkëprodhimit kinematografik, East Gate Otranto përfaqëson një etapë të re të bashkëpunimit midis industrisë italiane të filmit dhe asaj ballkanike.
“Pesë vjet më parë, në Otranto lindi iniciativa për të mbledhur kryetarët e Qendrave të Filmit të Ballkanit, në një takim ku të diskutonin së bashku mundësitë e bashkëpunimit midis tyre, të koordinimit të aktivitetve dhe ajo që ishte më e rëndësishme të krijonin projekte të përbashkëta nën drejtimin e Apulia Film Comission, e cila kishte oportunitetin e madh, asksesin që të aplikonte në fonde evropiane Interreg e që kërkonin bashkëpunimin mes vendeve të Adriatikut, Malit të Zi, Greqisë.”,- shprehet drejtori i EGO, Ilir Butka.

Kështu, në prezencën e kryetarit të Bashkisë së Otrantos u nënshkrua një protokoll bashkëpunimi, ku qyteti i Otrantos fitonte statusin e qytetit të privilegjuar për këtë gjë.
“Këtu lindën edhe projektet CIRCE dhe CIAK, të cilët mund të konsiderohen sukses referuar aktiviteteve dhe investimeve të kryera gjatë këaj periudhe.
Në Otranto ishte pikërisht ishte faza prezantuese e asaj çfarë është bërë në CIRCE dhe CIAK për t’i hapur rrugën aplikimeve të reja.”, – vijon Butka.
Kjo iniciativë prezanton projektet fimike shqiptare dhe ballkanike, të interesuar për bashkëprodhime dhe distribucion me Italianë. Ata përfitojnë nga incentivët e shumtë, që ofrojnë komisionet e filmit të shpërndara në territorin italian.
“Puglia është kthyer prej shumë vitesh një pikë referimi, jo vetëm në nivel rajonal e kombëtar, por edhe ndërkombëtar, falë komisionit të filmit që operon aty.
Dhjetëra produksione ndërkombëtare “ankorohen” çdo vit në “CinePorto” në Puglia, duke përfituar nga oferta e paketës fantastike që Apulia Film Commission ofron aty.”, – shprehet Ilir Butka, drejtor i EGO.
Gjithashtu, në nivel kombëtar, Ministria e Kulturës Italiane, nëpërmjet drejtorisë së filmit ofron mbështetje në formën e koproduksioneve minoritare (minority coproduction)për projektet e huaja, që gjejnë rrugën e bashkëprodhimit me produksione italiane.
Nga ana tjetër edhe Ballkani ofron mbështetje për produksionet e huaja nëpërmjet agjencive të filmit dhe skemave të minority coproduction, ku produksionet italiane mund të gjejnë interes reciprok.
Bashkëprodhimi është një garanci jo vetëm financiare për projektet, por edhe një mënyrë e mirë për të rritur cilësinë, duke i dhënë projekteve një dimension ndërkombëtar që në fazën e realizimit, në mënyrë që të sigurojnë natyrshëm më pas edhe distribucion ndërkombëtar.
“Pikërisht kësaj i shërben edhe politika europiane, që nëpërmjet Eurimage mbështet iniciativat e bashkëprodhimit”,- pohon Butka.
Një pjesë e projekteve, që kishin nisur rrugën e bashkëpunimit në Balkan Film Market, tashmë në një fazë të avancuar u prezantuan në “Pitch Balkan” para producentëve lokalë italianë dhe më gjerë.
Në event morën pjesë drejtorë të Qendrave ballkanike të Filmit, si: Shqipëria, Maqedonia, Kosova etj., presidentja e Apulia Film Commision, Simonetta del Monaco, një nga drejtuesit e programit Interreg Albania, Giovanni Antelmi, i cili ka qenë aktiv me projeket e bashkëpunimit filmik të rajonit të Adriatikut, CIRCE dhe CIAK me Greqinë, Italinë, Malin e Zi dhe Shqipërinë.
Gjatë ditëve të EGO u prezantuan projekte filmike ballkanike para një auditori të përbërë nga prodhues italianë dhe evropianë, të ndjekur nga takime midis producentëve dhe autorëve.
Pjesë e eventit ishin edhe producentë të suksesshëm shqiptarë, që kanë marrë pjesë në festivale të rëndësishëm të filmit në Kanë, në Berlin apo në Venecia etj., si: Dionis Papadhimitri (pjesëmarrës në festivalin e Venecias), Paskal Semini (pjesëmarrës në Sundance), Ismet Sijarina (pjesëmarrës në Festivalin e Filmit në San Sebastian), etj.
Eventi ishte pjesë e programit të rikonceptuar të Otranto Film Festival, me drejtore artistike aktoren e njohur italiane Stefania Rocca.
Apulia Film Comission, së bashku me Mibact dhe ANICA kanë qenë gjithashtu mbështetës të konceptimit dhe krijimit të Tregut Ballkanik të Filmit (Balkan Film Market) pesë vjet më parë, një pikë referimi jo vetëm për Fondet e Filmit dhe Qendrat Kinematografike në rajon, por mbi të gjitha për producentët e filmit.
Industria kreative dhe ekonomia
Përsa i përket industrisë kreative, Pulia ka bërë revolucion në nivel nacional, duke i dhënë akses lindjes së ideve avangardë, përsa i përket organizimit të industrive krijuese të kinematografisë, muzikës, arteve, duke e integruar më së miri me agjendën evropiane të investimeve. Sipas drejtorit të EGO, në këtë drejtim, Pulia ka ditur të vjelë më të mirën nga Evropa, përsa i përket aftësisë thithëse të projekteve, që mund ta ndajë me vendet e Ballkanit.
Historikisht, Pulia lidhet edhe me Fiera de Levante dhe pikërisht përmes saj është bërë ballafaqimi i Italisë me pjesën perëndimore të Ballkanit.
Ajo që dikur ishte për Pulian disavantazh, për shkak se ishte në ekstremitet të Italisë, në kufi të saj, tashmë është kthyer në avantazh: E ballafaquar me një sërë kulturash të tjera, një rajon çuditësisht shumë ndryshe nga të tjerët, Pulia, më shumë se çdo rajon tjetër në Itali është i hapur ndaj këtyre kulturave të ndryshme, një fakt, që ndikon pozitivisht jo vetëm për rajonin, por edhe për vendet rreth Adriatikut, për Ballkanin e më gjerë.

Otranto dhe Kateri i Radës
Për shumëkënd, emri i Otrantos lidhet me kanalin e Otrantos dhe anijen shqiptare “Kateri i Radës”, nga mbytja e së cilës humbën jetën 81 shqiptarë më 28 mars të vitit 1997.
Tashmë, kjo anije është kthyer në monument kulture dhe është vendosur në hyrje të Portit të Otrantos, pikërisht përballë brigjeve shqiptare.
Pavarësisht se kjo ngjarje lidhet me një tragjedi dhe me vendim gjykate u kërkua që anija të shkatërrohej, administrata komunale e Otrantos dhe Institutit të Kulturës Mesdhetare të Leçes kërkuan mbajtjen e relikes së Katerit të Radës, si një monument në nder të shqiptarëve të mbytur. Blerina Goce
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



